Në Spitalin Onkologjik në QSUT një numër i madh pacientësh janë gra të cilat vuajnë nga kanceri i gjirit. Pavarësisht ndërgjegjësimit që ka ardhur në rritje, kapja e sëmundjes në fazë të avancuar ka bërë që fatkeqësisht shumë prej tyre të humbin jetën. Si ka ndikuar pandemia në rritjen e numrit të pacienteve me stad të agravuar të sëmundjes dhe thirrjet e mjekëve për ta kryer testin e mamografisë dhe kontrollin e specializuar.
Nga Klea Neli
Nëse shkojmë në spitalet onkologjike gjithmonë do të na rastisë të shohim vajza dhe gra që vuajnë nga kanceri i gjirit. Të kuptosh që vuan nga një sëmundje kaq e rëndë dhe nëse e ke zbuluar në një stad të vonë, mund të të marrë dhe jetën. Kjo situatë përjetohet dhe përballohet ndryshe nga të gjitha gratë dhe vajzat. Muaji tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, mjekja onkologe Anila Pema, u shpreh se këtë vit në raport me vitet e tjera ka një rritje të numrit të rasteve me kancer të gjirit. Ndër të tjera ajo thekson se numri i grave dhe vajzave që kanë bërë kontollin e mamografisë ka qenë më i lartë se vitet e tjera, gjë që do të thotë se shumë prej tyre kanë filluar të ndërgjegjësohen dhe të kujdesen për veten, pa qenë ende vonë.
Në raport me vitet e tjera, numri i grave të prekura me këtë sëmundje ka qënë në ulje apo në ngritje?
Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë. Rreziku rritet me rritjen e moshës. Në raport me vitet e tjera ka një rritje progresive të numrit të rasteve të reja me kancer të gjirit. Numri i rritur i referohet edhe ndërgjegjësimit më të madh të grave. Sidoqoftë, këtë vit pandemia ka qenë një faktor kryesor i cili ka ndikuar negativisht te gratë dhe te stadi në të cilin janë paraqitur pacientet. Periudha e karantinës në radhë të parë ka ndikuar me përcaktimin me vonesë të diagnozës dhe për pasojë në rritjen e rasteve me stade të avancuara të sëmundjes.
Sa është numri i pacienteve të regjistruara për këtë vit në QSUT?
Për numrin ekzakt duhet t’u referohemi statistikave, por të themi me afërsi këtë vit kemi pasur 700 deri në 800 raste me këtë sëmundje.
A është shtuar numri i grave që bëjnë kontrollet e mamografisë?
Prej disa vitesh kontrollet për mamografi janë rritur. Kjo periudhë, edhe pse jemi pikërisht në muajin e ndërgjegjësimit të kancerit nga gjiri, ka qënë e qetë, kjo mbase për shkak të pandemisë. Pacientët kanë frikë të paraqiten nepër spitale. Por në krahasim me disa vite më parë numri i rasteve për vizitë është dukshëm në rritje. Duket sikur gratë dhe vajzat janë ndërgjegjësuar për këtë sëmundje dhe pasojat që ajo ka. Megjithatë, Spitali Onkologjik nuk e ka ndërprerë punën asnjë ditë në shërbim të pacientëve.
Si është raporti i vendit tonë me vendet e tjera?
Në raport me vendet e tjera, Shqipëria ka një incidencë pak më të ulët, por kjo është multifaktoriale. Shqipëria është një vend që indentifikohet me moshën më të re të populates, por besoj se ndikon ndonjëherë edhe mosraportimi I rasteve të diagnozës.
A ka shoqata që merren me gratë që janë të prekura nga kjo sëmundje?
Ka disa shoqata në Shqipëri që merren, siç është Europa Donna apo Prolife. Roli i tyre ka ardhur duke u rritur duke u bërë aleate të rëndësishme në luftën kundër kancerit të gjirit në veçanti.
Sa i përhapur është kanceri i gjirit?
Bazuar në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në botë, e cila përllogarit një vlerësim të situatës reale në çdo vend të botës, kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë kudo në botë. Pjesa më e madhe e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në faza të vonshme.
Si zbulohet kanceri i gjirit?
Kanceri I gjirit mund të zbulohet në dy mënyra të cilat janë klinike ose subklinike.
Stadi klinik është kur gruaja e evidenton, që do të thotë se është jo shumë fillestare. Dhe ai subklinik nëpërmjet depistimit ku rritet mundësia e kapjes së hershme e, për pasojë, edhe e ecurisë së favorshme. Trajtimi është multidisiplinor.
Si trajtohet kanceri i gjirit?
Ka disa mënyra që mund të trajtohet kanceri i gjirit. Të cilat janë kirurgjia e gjirit, kur tumori hiqet së bashku me një sasi të vogël të indeve të gjirit, duke lënë pas shumicën e indeve normale të gjirit. Mastektomia ose heqja totale e gjirit, mund të jetë e nevojshme kur tumori është i madh në raport me madhësinë e gjirit, ose në rast se kemi një tumor multicentrik. Gjithashtu, kirurgjia e gjirit përfshin edhe kirurgjinë në limfonodulat auxilare. Është e rëndësishme të dimë nëse qelizat e kancerit janë përhapur në gjëndrat limfatike nën sqetull, nëse këto limfonodula janë të prekura, atëherë rritet mundësia që qelizat e kancerit të jenë përhapur përmes qarkullimit të gjakut në pjesët e tjera të trupit. Ky është një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e trajtimit të mëtejshëm sistematik që ka mundësitë më të mira për të vrarë qelizat e kancerit, të cilat mund të jenë përhapur përtej gjirit.
Metodat e trajtimit të kancerit të gjirit
Kimioterapia është një tjetër mënyrë e cila përdoret për t’i vrarë qelizat e kancerit, të cilat mund të përhapen përtej gjirit. Këto qeliza që shkëputen nga tumori kryesor i gjirit dhe përhapen nëpërmjet sistemit të gjakut ose limfatik në pjesën tjetër të trupit, zakonisht nuk shkaktojnë simptoma, nuk shfaqen në ekzaminimet imazherike dhe nuk mund të evidentohen në ekzaminimin klinik. Mjekët përdorin ilaçe, si pilula ose me injeksion. Ky lloj trajtimi quhet terapi sistematike dhe përfshin medikamente kundër kancerit (kimioterapia) dhe terapi hormonale. Përdoret edhe radioterapia, e cila përdor një rrezatim me energji shumë të lartë, e cila kryhet mbas ndërhyrjes kirurgjikale për të shkatërruar qelizat e kancerit të mbetura në gji pas trajtimit kirurgjikal konservativ, murin e gjoksit dhe nyjet limfatike ose për të ngadalësuar shkallën e tyre të rritjes. Ky trajtim ka rezultuar të jetë efektiv në reduktimin e recidives lokale. Aktualisht mjekimi ynë i kancerit të gjirit ka arritur standarde bashkëkohore. Në Spitalin Onkologjik ka dhe një shërbim të ngritur psikosocial, i cili është prezent në momentet e vështira me të cilat përballen pacientet. /Ra.My.Fjala.al/