Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë një konference të posaçme për mediat lidhur me situatën e Covid-19 në vend, tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, miratuan paketën e katërt për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve, ndërsa qeveria shqiptare asgjë.
Ai tha se nga mosmarrja e masave Banka Botërore dha parashikim se 41.5% e popullsisë me më pak se 5 dollarë të ardhura në ditë, do të zhyten më thellë në varfëri.
Sipas tij, sado të fshihen shifrat e të infektuarve, qytetarët e sëmurë nuk fshihen dot dhe se “Blerjet me listë në farmaci janë sot rregulli, jo përjashtimi.
Po rritet në mënyrë të frikshme numri i njerëzve që marrin ilaçe me liste. Kemi propozuar rimbursimin e plotë të paketës së trajtimit të pacientëve me Covid në kushtet e shtëpisë”.
Lideri i opozitës tha se ekonomia shqiptare parashikohet të bjerë në 8.4%, ku ndonëse borxhi po rritet, tha se këto para qeveria nuk i çon tek qytetarët.
Basha deklaroi se plani i PD parashikon çekun prej 1.000 euro për biznesin e vogël për të lehtësuar barrën e pagesave dhe shpenzimeve të papërballueshme për 6 muajt e ardhshëm; Pagesën mujore prej 160 mijë lekësh të vjetra për ata që kanë humbur vendin e punës, si minimum konsumi për 6 muajt e ardhshëm;
Pagesa mujore prej 200 mijë lekësh për çdo punonjës që biznesi rikthen në punë gjatë 6 muajve të ardhshëm dhe shtesa mujore prej 20 mijë lekësh për pensionistët për shpenzimet shëndetësore shtesë gjatë 6 muajve të ardhshëm.
Ai u ndal edhe një herë në planin me 5 pika të rimëkëmbjes propozuar nga PD, ndërsa theksoi se qytetarët duhet të ndihmohen sot, dhe jo nesër.
“25 prilli për këta qytetarë dhe familjet e tyre është një ditë e largët. Ata duan të dinë si do t’ja dalin sot? Për këtë arsye plani me 5 pika parashikon mbështetje direkte nga shteti, sot jo nesër. Ndaj kemi propozuar që biznesi mos falimentojë, kemi propozuar një çek për pensionistët. Nga Muslym Shyri, te rr. Durrësit e keni parë gjendjen, mbështetja për ta, është urgjente”, u shpreh Basha./Bl.Ba/Fjala.al