Rreth librit “Dallori i shpirtit tim”, i Sabajeta Peposhit
Nga Lulzim Logu
E kisha këtë libër (“Dallori i shpirtit tim”, poezi + proza + ese, Ombra GVG, Tiranë 2019), shumë kohë mbi syprinën ngjyrë mjalti të tavolinës sime, krahas dy tri botimeve më të fundit, të veçuara për lexim, ndërsa pandemia sapo ishte shpallur dhe njerëzit tej në rrugë, ende kalimtarë të zakonshëm, e quanin trill punën e virusit dhe thjesht ideja e përmendjes së tij, kishte thyer sadopak monotoninë e dimrit, që dukej se nuk kishte qënë aspak i tillë…
Pikënisja e mëkatit…
Një varg që së pari e kisha shquar sapo i kisha hapur kapakët e librit, dhuruar nga miku im, shkrimtari i njohur Petrit Palushi, vetoi si një frazë e befasishme dhe mbushi për një çast krejt boshësinë e qënies time, po aq sa dhe shfaqja e çuditshme dhe e beftë e këtij virusi, me një emër të betontë, ngjante si çimento e sapongurtësuar, e cila nga çasti në çast do të të binte kokës…
Po atë mbrëmje, i dyzuar edhe unë si ata kalimtarët e fundditës, të cilët vazhdonin ecjen e tyre rituale në trotuarët e vetmuar të qytetit, duke e konsideruar një farë fakenews lajmin e virusit dhe atë të mbylljes totale brenda, i shpenguar iu dhashë leximit të krijimtarisë së Sabajetës, vajzës që trotuarët e qytetit të vet i kishte konsideruar si “gjarpërinj asfalti, strukur në bardhësinë e mistershme…” 24-vjeçare, ajo është larguar papritur, ndoshta si pak krijues, të cilët aq të rinj, por pas ikjes së tyre kanë qenë gjithmonë e më të afërt dhe të domosdoshëm për lexuesit shqiptarë të çdo brezi, por edhe pjesë e krenarisë si mbartës të një letërsie ndryshe, e cila pavarësisht kohës se kur shkruhet prin kah prirja moderne e saj dhe përpjekja për t’u bërë pjesë e letërsisë së mirë bashkëkohore. Ka diçka nga Migjeni kjo vajzë province, që pa dyshim përmes vargut dhe mesazhit të tij të sinqertë arriti të thyejë kornizat e saj, të cilat aq shpesh të kapërthuren në shpirt dhe në ecjen tende letrare dhe të krijojnë një akomodim vrastar me kufijtë e saj të ngushtë.
Të cilët parcelizojnë edhe livadhin madhështor të qiellit, edhe dritën e hënës e zbehin dhe diellin e mjegullojnë… Këtë e ndiej tek e vetmja foto e saj në ballinë, shikimi modest i botës dhe gishtat e njomë, me të cilët në mënyrë të ndrojtur dhe delikate ka mbajtur lapsin, si armën e saj të sigurt kah e ardhmja dhe paraqitja e mendimit dhe filozofisë së saj të veçantë dhe komplekse rreth vetvetes dhe jetës. Që e mbështillte në notat e saj të fuqishme, ku sinqeriteti dhe karakteri i fortë, i jepnin vazhdimisht identitet dhe personalitet:
“Vjen një çast
Kur të duhet të qeshësh me pahir
Me dhimbjen tende të përqeshur
Absurditeti therës i jetës…”
Rrota e fatit të saj jetësor dhe poetik ka ecur aq shpejt në lojën e jetës, ku tri qeniet e kësaj jete sipas autores, njeriu, djalli dhe engjëlli shtiren pafundësisht në premtime iluzive dhe tundojnë në pellgun thithës të mëkatit. Kësisoj “mëkati” si motiv, në kuptimin kompleks të tij, në raportin e individit me shoqërinë dhe kontributin personal ndaj saj me virgjërinë apo të pavërtetat dhe dukjen si djall apo engjëll janë pikërisht pikënisja e krijimeve të shkurtra, por të ngjeshura dhe solide, të paraqitura aq harmonishëm në përmbledhjen dinjitoze të Palushit.
Dilema poetike dhe njerëzore e Sabajetës
Një njeri që arriti ta ndiejë hershëm tharmin dhe sublimen e Sabajetës që në kontaktin e parë, një krijues që heton nga fundi i pusit të errët pulsimin e talentit, e ngre me dashamirësi në kreun e jetës dhe e vesh me krahët e besimit dhe shpresës, i tregon horizontin e duhur, ku mëkati nuk mund të bëjë pis dhe bën të ëndërrojë në pasionin që vlon të krijimit fëminor. Duke dashur t’i hapë vendin e saj të merituar, duke dashur t’i heqë provincës një krijesë, që kurrsesi nuk do të mund të ishte e mbytura e ardhshme e pellgjeve të saj të ndotura…
“As e dukshme, as e padukshme
Qelqurina më përngjet me një intrigë plagë
Me ledhati më ka dënuar, intrigë e pështirë magjistricash
Dallori i së cilës ka dy mundësi zgjidhje
Mosthyerja e qelqit, gris pa dhimbje fytyren time prej letre
Thyerja sekondare e tij, plagos agimet e hershme të shpirtit tim…”.
Në këto vargje shpërfaqet dilema poetike dhe njerëzore e Sabajetës, ku ekzistenca si qenie e hijshme dhe e devotshme përballë fatit të atdheut dhe dashuria si ndjenjë universale dhe mundësia e kapjes dhe meritimit të saj në përmasat e vërteta, janë pa dyshim shtyllat ku u ngrit dhe u madhërua letërsia, “e vogël” në faqe e Sabajeta Peposhit, por e madhe në ide dhe figuracion original dhe vertet tronditës:
“Atdheu im
Varr i shkelur me këmbë
Halë e mbetur ndër dhëmbë…
Ajo ishte si një fëmijë i rritur parakohe nga pesha e mendimit të vet, ndërsa jeta e saj si një vals, të cilin në formën sesi e luante, ndoshta ishte i rrallë:
…
“Lumturia më ngjan me një vals të hareshëm
Sa keq që jo të gjithë, dinë ta kërcejnë valsin…”.
Ajo e kishte thënë vetë, pas poezisë fshihej si një engjëll në gjithësi, para kësaj bote stërmadhe…
Që fatkeqësisht e mori shpejt në vorbullën e vet të mezidukshme, por la pas si pasuri të paçmuar krijimet e saj, të cilat me këmbëngulje, me dashuri dhe devocion i solli para lexuesit shkrimtari Petrit Palushi. Për të mos i harruar në rrjedhat apo pandemitë në vazhdim. Ashtu siç bëri dhe me Reshpjen e madh… Poezia ishte ndoshta krenia e Sabajetës, kjo vërehet edhe në shënimet përcjellëse të Palushit, por unë mendoj se edhe proza e saj ka tonalitete të papërsëritshme, ku detaji i qëmtuar idhshëm nga çasti jetësor, përthyhet mrekullueshëm në vijëzime karakteresh, të cilat të mbeten të paharruara në kujtesë.
Ngjarjet vijojnë me ritmin e shpejtë të një treni, personazhet njëkohësisht pasagjerë të tij dhe të jetës dallojnë në morinë e episodeve të përditshme, aq të vogla, por fort domethënëse në shprehjen e tyre, në çdo stacion ka një galeri të ndryshme të dialogut dhe fatit njerëzor, vizatuar shkoqur dhe hijshëm nga autorja e ndjerë, e cila edhe vetë u shfaq dhe humbi si një meteor, diku në një stacion të jetës…
Libri i përzgjedhur dhe i përgatitur me skrupulozitet, ndjeshmëri dhe dinjitet nga Petrit Palushi, një mentor i merituar i jetës dhe veprës së autores, një botim i mrekullueshëm i OMBRA GVG, vërtet është një In Memoriam i bukur dhe i paharrueshëm për këtë fenomen të veçantë letrar, një monument përkujtimi dhe një praktikë e pakrasueshme si duhen vlerësuar me objektivitet ngjarje dhe personalitete letrare të kohës. Një libër që vret edhe ankthin dhe frikën e çuditshme të një pandemie, e cila përpiqet pikërisht të të marrë me vete në harresën e turbullt të një epoke…