Nga Elvis Myrta
Shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj, plagoset rëndë në një atentat me armë zjarri që i bënë teksa udhëtonte me makinë zyrtare me bashkëshorten dhe babanë e tij. Sulmi me breshëri la të plagosur edhe të atin e zyrtarit vendor, ndërsa bashkëshortja shpëtoi pa lëndime. Dyshimet janë se ngjarja ka lidhje me detyrën e Hasanajt, por nuk përjashtohen as pista të tjera.
Shkodra nuk gjen qetësi, një ngjarje tjetër kriminale ka tronditur mesditën e djeshme kryeqendrën e Veriut. Këtë herë objektiv i atentatit ishte shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj. 37-vjeçarit i është ngritur pritë në Dobraç të Shkodrës, pranë rrethrrotullimit të “5 heronjve”.
Shefi i Policisë Bashkiake, në momentin kur është sulmuar nga persona ende të panjohur, ka qenë në automjet së bashku me babanë dhe bashkëshorten e tij. Burime nga blutë e Shkodrës thanë për gazetën “Fjala” se ndaj familjes Hasanaj është qëlluar me breshëri kallashnikovi, ku objektiv ka qenë shefi i Policisë Bashkiake. Si pasojë e të shtënave është plagosur edhe babai i 37-vjeçarit por, fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mentor Hasanaj ka qenë duke udhëtuar me makinën e punës, ku sipas burimeve ai ka qenë në Shkodër, me familjen dhe kur i është bërë prita, ka qenë duke shkuar për në shtëpinë e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit, në Dobraç, rreth 2 km larg qytetit verior.
Dy të plagosurit u dërguan menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Metor Hasanaj, i cili ishte edhe objektivi i këtij atentati, ka marrë ka marrë tre plumba dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Rreth orës 14:00, 37-vjeçari Mentor Hasanaj u transportua drejt Spitalit të Traumës, pasi ka paraqitur komplikacione dhe mjekët e spitalit rajonal të Shkodrës vlerësuan dërgimin në Tiranë për mjekim të specializuar.
Ndërkohë i ati, 70-vjeçari Xhelal Hasanaj, sipas bluzave të bardha, e ka kaluar rrezikun për jetën. Policia pas marrjes së informacionit shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kreu disa kontrolle në zonë për kapjen e autorëve, por pa mundur të bjerë në gjurmët e tyre. Në ndihmë të policisë vendore shkuan edhe forcat e FNSH-së Shkodër, ku deri në orët e vona të pasdites vijuan kontrolle masive në zonën e Dobraçit.
Hetimet
Motivet e atentatit ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe janë ende të paqarta. Por, sipas burimeve nga grupi hetimor, i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, dyshimet dhe pista kryesore ku janë përqendruar hetimet të shpien tek ideja se ai është qëlluar për shkak të detyrës.
Në vendngjarje përveç forcave të shumta policore që bënë rrethimin me shirit, për të bërë veprimet e para hetimore, ishin të pranishëm edhe shefi i komisariatit të Shkodrës dhe drejtuesi i prokurorisë së këtij qarku, Albert Murçaj. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autorët kanë qenë të paktën dy. Njëri prej të cilëve ka qëlluar drejt automjetit të policisë bashkiake, me targa AA 019 AJ, ku po udhëtonte shefi i kësaj policie me të atin dhe bashkëshorten.
Autorët ka qenë me një motor dhe fillimisht është qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të familjes Hasanaj, nga një distancë prej 25 metrash. Edhe kur janë afruar, ata kanë vazhduar të qëllojnë drejt mjetit të policisë, ku sipas grupit hetimor janë të paktën 7 plumba që kanë prekur makinën.
Ndërsa policia në vendin e ngjarjes ka mbledhur mbi 25 gëzhoja. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, por edhe për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve që qëlluan ndaj familjes Hasanaj. Në vendin e ngjarjes, në afërsi ka një sërë objektesh që kanë kamera sigurie dhe policia i ka sekuestruar për të bërë këqyrjen e tyre për të arritur tek identifikimi i atyre që qëlluan ndaj Mentor Hasanajt.
Çfarë tha policia për ngjarjen
Policia e Shkodrës jep detaje mbi atentatin ndaj shefit të Policisë Bashkiake, Mentor Hasanaj. Mësohet se në makinë ka qenë dhe gruaja e Hasanajt, Vjollca Hasanaj, 28-vjeç. Në ndihmë të policisë vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH-së Shkodër, ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorëve. “Më datë 11.10.2020, rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, një person i paidentifikuar që qarkullonte me motomjet, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të policisë bashkiake Malësia e Madhe, ku udhëtonin shtetasit M. H. 37 vjeç, V. H. 28 vjeçe dhe Xh. H. 70 vjeç, banues në Malësinë e Madhe.
Si pasojë janë plagosur shtetasit M. H, me detyrë shef i Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe dhe Xh. H., babai i tij, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjeksore”, tha pas ngjarjes policia. Më tej blutë e Shkodrës thanë se në bashkëpunim me prokurorinë kanë ngritur një grup hetimor që po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. “Shërbimet e policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori.
Në ndihmë të policisë vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër, ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e prokurorisë po vijon punën intensive për grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe indetifikimit të autorit”, e mbyll deklaratën e saj policia.
/Jo.Be/Fjala.al