Rregullat e rrepta anti-“Covid-19” të vendit baltik kufizojnë delegacionin kuqezi. Kombëtarja shqiptare është rikthyer në stërvitje të hënën paradite në ish-kryeqytetin e Kazakistanit, Almati, teksa kanë nisur edhe përgatitjet për udhëtimin drejt Lituanisë. Në fakt, do të jetë një udhëtim i vështirë ky drejt kryeqytetit të vendit baltik, teksa në Vilnius delegacioni kuqezi do të jetë mjaft i reduktuar.
Burime pranë Kombëtares kuqezi kanë sqaruar për RTSH Sport se ndryshe nga Kazakistani, ku rregullat sa i përket mbrojtjes nga epidemia e Covid-19, kanë qenë më liberale, në Lituani ato janë mjaft më strikte. Në fakt, sipas rregullave të adoptuara në vendin baltik, të gjithë personat që vijnë nga vendet e cilësuara si “zonë e kuqe” hyjnë në Lituani u nënshtrohen një karantine 14-ditore.
Sidoqoftë, me ndërhyrjen e organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA-s, është bërë një përjashtim, por me kushtin që delegacioni i ekipeve përfaqësuese të jetë sa më i vogël i mundshëm. Kjo nënkupton se nga delegacioni prej rreth 50 personash që kanë udhëtuar drejt Kazakistanit, të paktën 10 prej tyre do të kthehen në Tiranë dhe grupi që do të vijojë më tej drejt Vilniusit duhet të jetë më i madh se 40.
Kjo nënkupton se në kryeqytetin e vendit balltik do të udhëtojnë 24 futbollistët, 10 anëtarët e stafit teknik dhe vetëm disa nga drejtuesit apo stafi mbështetës i Federatës. Të martën paradreke, Kombëtarja do të udhëtojë nga Almatija drejt Vilniusit, atje ku në mbrëmje, në të njëjtin orar me ndeshjen e së mërkurës, kuqezinjtë pritet të zhvillojnë seancën e parë dhe të vetme stërvitore në Stadiumin 5,000-vendësh të Federatës Lituaneze të Futbollit, të njohur më parë si stadiumi “Vetra”.
Duhet theksuar se ky stadium ka sipërfaqe artificiale të lojës dhe aty do të luhet ndeshja e së mërkurës, midis Lituanisë dhe Shqipërisë, që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.
La.Mi/Fjala.al