Diplomatët dhe analistët shafqen të shqetësuar lidhur me numrin gjithnjë e në rritje të viktimave si brenda ashtu edhe përreth Nagorno-Karabakut dhe ata thonë se pikërisht ky rezultat do ta bëj më të vështirë për fuqitë e huaja të bindin Armeninë dhe Azerbajxhanin të përmbahen dhe t’i kthehen tryezës së bisedimeve.
Një mijë persona, mes tyre më shumë se 60 civilë, mendohet të jenë vrarë deri më tani gjatë luftimeve të fundit mbi enklavën në pjesën e Azerbajxhanit që kontrollohet nga armenët etnikë.
Armëpushimi i ndërmjetësuar të shtunën nga Moska, po respektohet vetëm pjesërisht. Palët ndërluftuese po akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje.

Luftimet më të ashpra të hënën duket se u zhvilluan rreth Hadrut, vetëm pak kilometra larg në jug të Stepanakert-ut, kryeqyteti i Nagorno-Karabakut.
Por sulme me granata janë raportuar edhe në zona të tjera.
Azerbajxhani tha se një raketë goditi të shtunën objekte të banuara në qytetin e Ganjas, duke vrarë nëntë persona.
Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi hyri në fuqi armëpushimi. Armenia mohoi të kishte përgjegjësi mbi ngjarjen.
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev e quajti sulmin ndaj qytetit "një krim lufte" dhe një shkelje të rëndë të armëpushimit dhe u zotua për "një hakmarrje në të njëjtën shkallë".
Zyrtarët ushtarakë të Nagorno-Karabakut akuzuan forcat azerbajxhanase për sulm ndaj Stepanakert-ut dhe qytete të tjera të hënën, në shkelje të armëpushimit.
Enklava malore, e cila shtrihet brenda kufijve të Azerbajxhanit, por gëzon de facto pavarësi dhe që ka një shumicë armene, nuk ka parë përplasje kaq të ashpra që nga fillimi i viteve 1990, kur rreth 30 mijë njerëz humbën jetën përpara një armëpushimi të ndërmjetësuar kryesisht nga Moska dhe mbështetur nga SHBA dhe Franca, i cili i la mosmarrëveshjet e ngrira. Zhgënjimi i Azerbajxhanit është thelluar me mungesën e progresit diplomatik.
Bisedimet afatgjata të mbikëqyrura nga Franca, SHBA-ja dhe Rusia si bashkëkryetarë të të ashtuquajturit Grupi i Minskut i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), janë dobësuar për vite me radhë, duke krijuar zhgënjim në Baku.
Vëzhguesit pohuan se përplasjet e reja kishin dhënë sinjale prej muajsh, por të shpërqëndruar nga pandemia e koronavirusit dhe emergjencave të tjera, fuqitë botërore i anashkaluan shenjat që paralajmëronin konfliktin i cili ka arritur ndërkohë në nivelet e luftës. Ru. Do/ arkiva.fjala.al/