Me urdhër të kryeministrit të vendit, Edi Rama dita e enjte shënon edhe pajisjen me maskë për të gjithë qytetarët sapo të dalin nga shtëpia.
Nëse ky rregull nuk respektohet atëherë ata do të detyrohen të përballen me masat ndëshkuese të cilat janë gjobat që do të vendosen nga organet përkatëse.
I ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Ditë e Re” mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti tha se maska është një masë plotësuese dhe është gjëja e fundit e cila mund të ndihmojë në parandalimin e përhapjes së Covid-19.
“Maska është një masë plotësuese, e fundit fare. Nëse humbim distancën, jemi në një ambient ku ka grumbullim dhe nuk kemi asnjë mundësi si të mbrohemi në asnjë lloj mënyre, atëhere maska është ushtari i fundit përpara se të humbim betejën.
Është një mbrojtje minimale, është si rripi sigurimit në avion. Nëqoftëse avioni ka një difekt madhor rripi nuk të shpëton, aman nëqoftëse ka turbulenca të vogla ai rrip të shpëton”, u shpreh Alihmemehti.
Gjithashtu epidemiologu shtoi se maska efikasitetin e saj më të lartë e ka kur mbahet nga personat të cilët janë të sëmurë për të mos infektuar dhe të tjerët./Bl.Ba/Fjala.al