Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një konferencë për mediat e ka krahasuar kryeministrin Edi Rama me personazhin e një filmi të vjetër shqiptar “Horizonte të Hapura”, me emirin ‘Robert Çamçakëzi’.
Kreu i PD-së theksoi se Rama deri më tani, përveç pandemisë, është shkaktar i vuajtjeve të shqiptarëve.
“Fillon java e tretë e publikimit të planit tonë me 5 pika, kundër krizës ekonomike dhe hapave kundër valës së dytë të infektimeve nga COVID. Dy javë me radhë, unë, ekspertët dhe ju media, përmes gazetarëve që raportojnë, e keni bërë këtë plan të ditur dhe e keni shprehur se çfarë propozon PD dhe opozita.
Ne kemi denoncuar gjendjen që sa vjen e rëndohet të shëndetësisë, të mjekëve dhe infermierëve, rritjen e pacientëve të të infektuarve e COVID-19, ndërkohë që i vetmi që i bën bisht përgjegjësisë është njeriu që ka ne dorë që të ndihmojë njerëzit në nevoje, pacientët, shqiptarët”, u shpreh Basha.
Më tej ai shton se, “Shumica dërrmuese e të rinjve se mbajnë mend një film ku një person, endej nga kantieri në kantier, ku ishte personazhi i ‘Robert Çamçakëzi’. Edi Rama është Robert Çamçakëzi.
Ai pyetet; A e njihni planin e PD dhe çfarë po bëni për të ndihmuar njerëzit. Duhet t’i kujtojmë shqiptarëve që çdo dhimbje s’vjen vetëm për shkak të pandemisë, por për shkak se Rama i ka katandisur. Rama fryhet si gjel e kakaris si pulë, tjetër gjë bën. Ai ska mbajtur asnjë premtim për t’i dhënë bonus mjekëve e infermierëve”.
Ndërsa lidhur me masat anti-covid, për kryedemokratin Basha, qeveria Rama nuk ka marrë asnjë masë reale për të parandaluar përhapjen e virusit, dhe për këtë prokuroria duhet të niste hetimet.
“Spitalet Covid kanë arritu kapacitetin maksimal, askush s’ka reaguar. Heshtje totale, nuk fshihet dielli me shosh, nuk mundet të pranojmë si opozitë në çështje që ka të bëjë me jetën të trajtohet si inekzistente në një përpjekje të dobët të dalë boje për të fshehur realitetin për të cilin është përgjegjës me batuta bajate.
As nuk ndihmojnë mjekët, as fëmijët, as vogëlushit në shkolla, nuk ka asnjë alibi, vetëm keqqeverisje, vjedhje dhe shpërdorim të pushtetit, abuzim të detyrës nga ana penale. Të fillonte hetimet për mos veprimet e Edi Ramës dhe Manastirliut, ndërkohë që vendet e tjera kanë marrë masa për të ndaluar përhapjen e COVID.
Një sfidë e madhe për këtë shoqëri, masa e suksesit nuk është të fusësh kokën si struci, apo të thuash që kemi fat që infektimet kanë arritur rekordin”, tha Basha,/Bl.Ba/Fjala.al