34-vjeçari po shkon drejt Olimpiadës së tij të 5-të Dimërore. Erjon Tola është njeriu që identifikohet me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike dimërore dhe 34-vjeçari premton të mos ndalet derisa të dorëzojë stafetën. “Le të themi që Erjon Tola nuk do ta mbyllë derisa të zbulohet një tjetër talent në ski, sepse nuk dua në asnjë mënyrë që Shqipëria të mbetet e papërfaqësuar në Olimpiadat Dimërore”, – thotë ai duke folur posaçërisht për gazetën Fjala.
“Dhe duke qenë se akoma jam i vetmi skiator kuqezi, e cilësoj edhe si një përgjegjësi personale, kështu që do të vazhdoj”, – shton ai. Por skiatori kuqezi tanimë është më i përqendruar në disiplinat e tij. “Normalisht që i kam kufizuar disi ato aspektet e stërvitjes dhe të garimit, – pohon Tola. – Përpara, në Olimpiadën e parë, kam bërë 3 disiplina, pastaj kam bërë dy, ndërsa tani po përqendrohem në një disiplinë të vetme, për të bërë një paraqitje sa më të mirë në Lojërat e ardhshme Olimpike.” Skiatori e ka hedhur vështrimin drejt garave të vitit të ardhshëm.
“Në fakt, ende nuk është përcaktuar kalendari i garave, për shkak të epidemisë së virusit korona, por kështu që jemi ende në pritje për këtë kalendar, por e sigurt është që do të marr pjesë në Kampionati Botëror të Skive, që do të mbahet në Itali, në Kortina D’Ampeco, në shkurt të vitit të ardhshëm dhe aty do të garoj patjetër. Por akoma nuk ka dalë kalendari i plotë i garave.” Erjon Tola ka konkurruar për ngjyrat kuqezi në Olimpiadën Dimërore të 2006-ës, 2010-ës, 2014-ës dhe 2018-ës./Jo.Be/Fjala.al