Katër të arrestuarit nën akuzë për atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Andon Dhima, kanë dalë ditën e sotme përpara Gjykatës së Tiranës, ku do të njihen me masën e sigurisë.
Teksa seanca gjyqësore ende vijon, familjarët e dy prej të arrestuarve, Grid Lenos dhe Mariglen Matohiti janë shprehur se të afërmit e tyre nuk kanë lidhje me ngjarjen.
Gerta Matohiti motra e të arrestuarve Marjo Matohitit dhe gruaja e Grid Lenës, (njëri bashkëpunëtor dhe tjetri autor) ka hedhur poshtë akuzat për ta në lidhje me tentativën për vrasje të biznesmenit Andon Dhima.
Ajo ka thënë se në ditën dhe orën që ka ndodhur tentativa për atentat vëllai i saj ka qenë në një lokal me të duke punuar, pasi sipas saj është kamarier, ndërsa edhe për të shoqin thotë se po ashtu ka dëshmitarë që e kanë parë po në atë ambient.
“Asgjë nuk është vërtetë se im vëlla ka qenë në lokalin tim me mua dhe kemi patur një ditëlindje. Vëllai im ka qenë aty dhe më ka ndihmuar mua, se ai është kamarier. Unë kam publikuar dhe një video në rrjetet sociale, me datë dhe orë.
Aty ka patur dhe 20 veta dëshmitarë dhe këto të gjitha do të paraqiten në gjykatë. Kjo rrëzon komplet të gjitha pretendimet që janë bërë ndaj policisë. Grid Lenën kanë thënë që ka qenë i dënuar në Gjermani. Ai ka qenë 17 vjeç në Gjermani dhe ka paguar për atë krim”, tha ajo.
Ajo u shpreh se asgjë nga policia nuk është e vërtetë. Përmes kamerave ajo i ka bërë një ftesë biznesmenit Dhima, që të flasë me të e të ballafaqohet, madje shprehet e gatshme dhe t’i tregojë videon.
“I them zotit Dhima me gjithë qejf edhe mund ta takoj dhe ti them çlidhje ke ti me këto persona. Ai ndihet i kërcënuar se personat që kanë bërë atentat mund të jenë ende jashtë, sepse këto janë viktima. Unë di vëllain tim dhe burrin tim dhe e di që janë të pafajshëm për të tjerët s’mund të them gjë“, u shpreh ajo./Bl.Ba/Fjala.al