Kryeministri Edi Rama deklaroi pas mbledhjes me drejtuesit Politikë të PS në qarqe, se Kodi Zgjedhor do të votohet me shpejtësi nga parlamenti pa asnjë ndryshim.
Në një dalje për mediat, pas përfundimit të mbledhjes me drejtuesit politik, Rama tha se nuk mund të vihet në diskutim vullneti i Parlamentit, aq më tepër presidenti Ilir Meta.
“Do ta votojmë sa më shpejt kur të caktohet seanca e votimit pa asnjë ndryshim, pikë dhe presje. Do ta votojmë kodin siç është votuar nga parlamenti me një shumicë që është kuptimplotë dhe askush nuk mund të verë në diskutim vullnetin e parlamentit, aq më tepër Ilir Meta”, tha Rama.
Kryeministri Rama ka zhvilluar sot një mbledhje me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste. Ashtu si dhe javën e kaluar, takimi në fjalë u mbajt për rreth 1 orë në selinë e Partisë Socialiste.
Mësohet se kryefjalë e diskutimit ishin zgjedhjet e 25 prillit. Drejtuesit politikë si çdo javë, raportuan për ecurinë e procesit, takimet si dhe angazhimet se dhe çfarë kanë bërë, ndërsa kryeministri vijoi me porositë për përgatitjen e zgjedhjeve.
Kujtojmë se PS ka shpallur një platformë, një proces për vlerësimin e deputetëve dhe më pas të ministrave, sa i takon përfaqësisë së tyre në parti. Kjo platformë do i shpërbejë Partisë Socialiste për të hartuar listën përfundimtare të kandidatëve./Bl.Ba/Fjala.al