Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi takoi ditën e hënë rektorët e universiteteve publike dhe private në prag të fillimit të vitit të ri akademik, duke thënë se në fokus të qeverisë do të jenë shërbimet e mira për studentët.
Në fokus të bashkëbisedimit, ishte plani i masave të ndërmarra prej tyre për nisjen sa më mbarë të vitit të ri akademik më 2 nëntor.
Ajo nënvizon se gjatë takimi është diskutuar veçanërisht për mënyrën e zhvillimit të leksioneve dhe seminareve në kushtet e pandemisë.
“Ofrova të gjithë gatishmërinë time personale dhe institucionale për të bashkëpunuar me universitetet në çështje me interes të përbashkët, ku në thelb është pa dyshim mbrojtja e shëndetit të gjithsecilit, respektimi i masave anti-COVID, shërbimet akoma më të mira për studentët dhe rritja e cilësisë së arsimit të lartë”, u shpreh ndër të tjera Ministrja Kushi.
Nisja e këtij viti të ri akademik do të jetë ndryshe në krahasim me të kaluarën pasi këtë vit studentët do të zhvillojnë mësimin nën rrezikun e infektimit nga Covid-19.
Pa.Va/Fjala.al