Nga Semiljana Azizi
Katër parodistët e Vlorës, Agron Hamo, Afrim Agalliu, Mane Lumani dhe Muhamet Lika, nuk do të harrohen asnjëherë. Me kontributin e madh në skenë, janë fiksuar në mendjet e zemrat, jo vetëm të vlonjatëve, por edhe të të gjithë shqiptarëve artdashës. Pas thuajse pesë dekadash së bashku, tashmë gjërat kanë ndryshuar e grupi nuk është më njësoj. Prej tyre, vetëm Agroni dhe Afrimi janë në skenë, ashtu siç e nisën dikur, të dy bashkë. Manja, i cili ka humbur zërin për shkak të një problemi shëndetësor, është shkëputur prej kohësh.
Kurse Muhameti ose Meti, siç njihet ndryshe, ka ndërruar jetë, rreth një vit e disa muaj më parë. Edhe pse vetëm dy, Agroni dhe Afrimi kanë dëshmuar se do të vazhdojnë të merren me parodinë dhe humorin, sa të kenë mundësi. “Edhe kur flemë, mendojmë cili ishte problemi i ditës, si mund ta trajtojmë e ta sjellim për publikun në parodi”- tregon Afrimi, duke e përforcuar dëshirën për skenë.
Të vlerësuar në Vlorë, por jo vetëm artistët vlonjatë, në përditshmëri janë të njerëzishëm dhe shumë të thjeshtë. Jetojnë me të njëjtat probleme, halle dhe shqetësime si të gjithë. Është e vështirë ta përmbledhësh jetën dhe veprimtarinë e tyre artistike, që ka shënuar shfaqje të njëpasnjëshme. Gjithçka nisi me punën në ndërmarrjet e kohës së komunizmit, me nismën e Agron Hamos, për t’u bashkuar më pas dhe të tjerët e për të plotësuar grupin. Më 1978, një grup amatorësh vunë në skenë parodinë e parë të Pëllumb Kullës, “Hallet e Demos” e që atëherë, u pëlqyen dhe publiku i mirëpriti. Agroni, fillimet e tij i ka pasur në ndërmarrjen e prodhimit të sodës.
I zbuluar nga Nikollaq Papa, shef muzike në Sarandë, Agroni ishte i pari nga katër parodistët, i cili nisi rrugën e artit. Edhe Afrimi, gjithashtu i ka pasur fillimet e tij nga një ndërmarrje e atëhershme, ajo e bonifikimit, “Perlat Rexhepi”. Përveç baletit, Afrimi zbuloi se kishte brenda vetes talentin dhe pasionin e madh, për aktrim. Nga ndërmarrja e Ullishtes, do t’i afrohej grupit edhe parodisti Mane Lumani.

E sigurisht, kësaj tresheje nuk kishte si t’i mungonte ikona e skenës dhe parodisë, Muhamet Lika. Ata u bënë katër… dhe ashtu ishin, për më shumë se pesë dekada. “Pasioni për punën dhe vetëm punën, por dhe sinqeriteti në shoqëri e ka mbajtur këtë grup të bashkuar”- tregon me sinqeritet, Agroni. Parodistët, nuk ngurrojnë të tregojnë edhe sekretin e vërtetë të punës së tyre.
Veç fatit të madh që kanë pasur, sepse kanë punuar me emra të mëdhenj të artit, si Nikollaq Papa, Pëllumb Kulla, apo Flamur Laro, sekreti i vërtetë i një parodie është përshtatja e vijës muzikore me problematikën që do të trajtohet. “Flamur Laro, ka qenë i jashtëzakonshëm. Direkt e përshtaste tekstin me muzikën, por ama duhet ta njohësh mirë, këtë të fundit”, – ndërpreu Afrimi. Lëvrimi i një gjinie të tillë sa profesionale, artisitike, sarkastike dhe ironike, por aq edhe i vërtetë dhe origjinal, nuk është i lehtë. Kërkon bashkëpunim të madh në grup. E kjo, sigurisht që nuk ka munguar në katërshen fantastike.
Harmonia dhe kimia e tyre, duket në ajër. Kur në rrethin shoqëror biseda shkon te Meti, të gjithë kanë një histori për të treguar, batutë, shaka ose bëmë të tij. Por kolegët, vëllezërit, siç ata e quajnë njëri-tjetrin, preken me zemër. “Humbja e Metit është humbje e madhe dhe jo vetëm për Vlorën. Nuk ka moment, që të mos e kujtojmë vëllanë e vogël, i cili ka lënë gjurmë. Vërtet, kemi mbetur dy, por kuptojmë dhe ndiejmë, se publiku kërkon edhe Metin mes nesh e nuk e dimë se sa po e plotësojmë mungesën e tij.”- na tha Agroni.
As për Afrimin nuk është e lehtë ndarja e Metit nga jeta. “Ne të gjithë kemi nga një emër tonin, por publiku na sheh si një trup të vetëm. Në fillim largimi i Manes e tani i Metit, publiku e ka shumë të vështirë të mësohet.” Vajza e të ndjerit Muhamet Lika, Alkida, e përmalluar, por edhe krenare, kujton të atin e tregon se pasuria më e madhe që ka lënë pas, janë shfaqjet e tij.

“Kur kujtojmë Metin, babanë, na vjen në mend ‘Qypi me mjaltë’. Ai ishte një nga skeçet më madhështore me të cilin goditi dhe publikun. I kemi të dokumentuara të gjitha shfaqjet. Babai iku vërtet shumë shpejt, por i plotësuar, mendoj. Ai ishte vërtet humorist i madh në skenë, por serioz dhe i vendosur në familje dhe në jetë.” – përfundon Alkida.
Të mbetur dy, por ende të palodhur, Afrimi dhe Agroni po përgatitin për skenë, parodistët e rinj të Vlorës. Blerim Çipi, Anteo Salikaj dhe Gentian Këllçiu janë tre të rinjtë e talentuar, të cilët po mundohen të ndjekin hapat e mësuesve të tyre. Tre djemtë e kanë nisur rrugëtimin si nevojën për të bërë humor, në një kohë kur ky i fundit mungon. “Jemi munduar të përshtatemi dhe me tematikat që trajtojmë, por dhe me platformat ku transmetohen.
Deri tani, skeçet janë pritur shumë mirë nga publiku dhe, madje, mbështjetje kemi gjetur dhe tek Afrimi dhe Agroni.”- thotë Gentiani. Për sa mësuam nga të dyja palët, mes të rinjve dhe mjeshtrave, nuk ka pasur as konkurrencë, as xhelozi. Madje, ata kanë qenë mbështetje për njëri-tjetrin, duke u ngjitur dhe së bashku në skenë. Tre të rinjtë, kanë zgjedhur një rrugë të vështirë për të reaguar ndaj fenomeneve që godasin shoqërinë, një rrugë që jo të gjithë bashkëmoshatarët e tyre do ta ndiqnin dhe e kuptojnë edhe vetë këtë, me pohim. “Janë indiferentë. Kemi dhënë shfaqje në universitet dhe nuk reagonin ose qeshnin nën buzë, me ironi. Kështu është rinia sot.”
Është kaq bukur, kur shikon se si dashuria për artin, të bukurën përcillet nga një gjeneratë në tjetrën, duke mos e lënë ndërgjegjen qytetare të bjerë në gjumë. Kështu janë mjeshtërit e parë të parodisë vlonjate, nga të cilët frymëzohen tashmë të rinjtë, të cilët, ata i kanë model frymëzimi. Dy gjenerata të ndryshme, nga dy realitete e botëkuptime të ndryshme, por me një emërues të përbashkët, artin. Koha ka treguar se arti shkrin vitet, lartëson zemrat, bashkon breza… dhe zhduk barriera!