Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla është shprehur për mediat se mazhoranca do të kalojë në Kuvend Kodin e ri Zgjedhor në mënyrë që të hyjë në fuqi sa më shpejt, pasi institucionet përgjegjëse duhet të përgatisin zgjedhjet e 25 prillit 2021.
“Pra Kodi do të hyjë në fuqi, por më pas do të kemi kohë që përgjatë një procesi të adresojmë dhe opinionet e Venecias qoftë dhe pas 25 prillit. Shqipërisë i duhet Kodi Zgjedhor në mënyrë që institucuionet përgjegjëse të përgatisin zgjedhjet”, tha Balla.
Duke iu referuar përgjigjes së Komisionit të Venecias për kërkesën e Presidentit Meta për Kodin Zgjedhor, Balla tha se opinioni i Venecias është i mirëpritur, por ato opinione mund të imeplementohen pas 25 prillit.
“Ne do ta dëgjojmë padyshim Venecian, por Venecia ka refuzuar kërkesën e presidentit për një opinion urgjent. Pra ka futur në një procedurë normale. Ligji zgjedhor duhet të kishte hyrë në fuqi. Presidenti mori qëllimisht një muaj kohë për të kthyer ligjin. Ai mund ta bënte që ditën e dytë. Kodi është një ligj model i marrë nga vendet e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës”, përfundoi Taulant Balla.
re.Gu/Fjala.al