Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas letrës së presidentit Ilir Meta për situatën e pandemisë.
Në një postim në twitter, Rama thotë se Presidenti nuk ka asnjë kompetencë të ndërhyjë në punën e ekspertëve, ndërsa e këshillon që së pari të fillojë të mbajë maskën.
“Ilir ti s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia, mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s’po bën prej kohësh!
Ekspertët janë ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë në bazë të strategjisë së vjeshtë-dimrit. Rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe ne duhet të shmangim me çdo kusht një mbyllje të re, prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta!
Ministrja e Shëndetësisë meriton përkrahje pa rezervë për punën e palodhur që po bën, siç e meritojnë ekspertët dhe padiskutim mjekët e infermierët që po shkëlqejnë prej muajsh në këtë luftë, ku e tërë bota po vuan nga të njëjtat probleme e dilema të mëdha vendim-marrëse“, shkruan Rama.
Reagimi i Ramës erdhi fill pasi presidenti Ilir Meta bëri publike letrën drejtuar ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, ku paralajmëronte se “situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë”./Bl.Ba/Fjala.al