Skualifikohet kandidatura e Gjozës për president dhe dy kandidatura për Këshill Drejtues. Më 14 nëntor 2020, Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të mbajë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore, nga ku pritet të dalë presidenti i ri dhe Komiteti i ri Drejtues. Komisioni i Seleksionit të Kandidaturave ka marrë në shqyrtim të gjithë emrat e paraqitur, ku, për postin e presidentit spikat skualifikimi i ish-presidentit Elez Gjoza.
Peshëngritja shqiptare ka vendosur piketat e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore, që do të mbahet më 14 nëntor 2020, duke shpallur kandidaturat për president dhe anëtarë të Këshillit Drejtues të Federatës.
Kështu, pas skadimit të afatit të dorëzimit të kandidaturave, që ishte 26 tetori 2020, Komisioni i Seleksionit të Kandidaturave ka marrë në shqyrtim të gjithë emrat e paraqitur, teksa për postin e presidentit kanë dorëzuar kandidaturat Eglantina Çuni, ish-presidenti Elez Gjoza dhe presidenti aktual, Theodhor Masllavica.
Në përfundim të shqyrtimit, Komisioni miratoi kandidaturën e Çunit dhe të Masllavicës, duke vijuar të skualifikojë kandidaturën e Gjozës. Sipas arsyetimit, Komisioni ka konstatuar se Gjoza nuk është një kandidaturë në përputhje me kriteret statutore dhe, si e tillë, skualifikohet nga kandidimi.
Në vijim të këtij arsyetimi, Komisioni i Seleksionimit ka parashtruar edhe faktin se, nga dokumentacioni i administruar, rezulton se ish-presidenti i dorëhequr nuk përmbush kriterin e parashikuar nga neni 12/5/d.
Rezultimi i një numri të madh sportistësh me doping gjatë periudhës së drejtimit të Federatës prej tij, që çoi në pezullimin 2-vjeçar të FSHP-së nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, e më pas në dorëheqjen e tij, kanë mjaftuar që ta cilësojnë Gjozën si të papërshtatshëm për të përmbushur kriterin statusor të figurës së pastër morale në fushën e sportit dhe, për rrjedhojë, ta skualifikojë atë. Ndërkaq, përsa u përket kandidaturave për anëtar të Këshillit Drejtues, janë paraqitur 11 të tilla, nga të cilat Komisioni i Seleksionit të Kandidaturave ka miratuar 9 prej tyre.
E më konkretisht atë të Arben Qafës, Baftjar Abazajt, Erjon Kanxherit, Flamur Isufit, Gerti Karinës, Hektor Shaqirit, Klevis Kasos, Odise Moçkës dhe Tatjana Marashit. Ndërkaq, me të njëjtin motivacion me Gjozën, ky Komision ka skualifikuar kandidaturat e Asim Belinovit dhe Kreshnik Lekës.
Nga 9 kandidaturat e miratuara për Këshillin Drejtues, vetëm 6 kandidatuat që do të marrin më shumë vota do të sigurojnë vendin e anëtarit, duke iu bashkuar kështu presidentit, që duke qenë se janë vetëm dy kandidatura, zgjidhet me një shumicë e thjeshtë./Bl.Ba/Fjala.al