Milani ka korrur edhe fitoren e 5-të në këto gjashtë javë të para në Serinë A të Italisë, teksa triumfoi 2-1 në fushë të huaj ndaj Udinezes.
Frank Kesi, në minutën e 18-të dhe Zllatan Ibrahimoviç 7 minuta para fundit ishin autorët e golave për Milanin, ndërsa për Udinezen golin e vetëm e realizoi Rodrigo De Paul me 11-metërsh, në minutën e 48-të.
39-vjeçari Ibrahimoviç vazhdon të shpalosë kështu një formë të shkëlqyer, duke realizuar një gol të bukur me goditje të zgjuar dhe duke i siguruar tri pikët Milanit.
Për Ibrahimoviçin ky është goli i shtatë i shënuar në katër ndeshje që ka luajtur në Serinë A këtë sezon, teksa mungoi në dy ndeshje pasi ishte i infektuar me virusin korona.
Milani kryeson renditjen me 16 pikë pas 6 ndeshjeve, katër më tepër se Atalanta që mban vendin e dytë.
Ndërkaq, suedezi ka deklaruar se po ndjehet i ri te Milani dhe është i vendosur të marrë përgjegjësi kur të vijnë kohët më të vështira.
“Është gol i mirë, por me rëndësi është fitorja dhe 3 pikët”, – ka deklaruar Zllatan Ibrahimoviçi, duke shtuar: “Ishte ndeshje shumë e vështirë, por kemi dëshmuar se punojmë, vuajmë dhe qëndrojmë së bashku.
Ne kemi një prej skuadrave më të reja në Evropë, ndonëse unë po e rris mesataren e moshës paksa, por bashkëlojtarët po më bëjnë të ndjehem i ri. Ata janë të uritur e të vendosur për t’u përmirësuar”, – ka përfunduar ai.
la.mi/Fjala.al