Qeveria “Rama” pretendon se i ka bërë detyrat e saj në raport me thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare, dhe se skepticizmi që mund të vijë nga disa vende siç është edhe Hollanda lidhet me politika, që nuk kanë lidhje me Shqipërinë.
Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla thekson se vendimi i qeverisë holandeze për mos çeljen e negociatave me Shqipërinë, lidhet me politika të tjera.
Gjatë një deklarate për mediat, Balla thotë se qeveria “Rama” i ka bërë detyrat e saj, duke plotësuar kushtet e vendosura nga BE.
“Presidenca gjermane ka në objektivat e veta mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vlerësimi i KE, që paguhet nga taksapaguesit evropianë për të bërë fotografimin korrekt për pritshmëritë dhe parakushtet që Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë, varet në funksion të atyre detyrave. KE ka vlerësuar se Shqipëria i ka përmbushur parakushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha ai.
Për këtë çështje, Balla tha se kishte zhvilluar një bisedë online edhe me parlamentarë holandezë. “S’dua të hyj në një polemikë, por kam pasur bashkë me kolegë të tjerë video-konferencë me parlamentin hollandez me komitetin për çështjet evropiane ku dhe nga kolegët holandezë kemi marrë vlerësimet për arritjen e disa parakushteve deri në momentin që flasim.
Pastaj nëse hyjmë në çështje që s’kanë lidhje me Shqipërinë, temat që lidhen me zgjerimin unë do thosha që ju besoj e dini se në vitin e ardhshëm në mars janë zgjedhjet në Hollandë, në maj zgjedhjet në Francë, në shtator zgjedhje në Gjermani. Ajo që shpresoj është që vendet anëtare të rëndësishme të BE s’duhet kurrsesi që fushatat e tyre zgjedhore t’i lidhin me aspiratat e vendeve që duan të anëtarësohen në BE”, tha Balla./Bl.Ba/Fjala.al