Presidenti Ilir Meta ka kthyer mbrapsht për rishqyrtim ligjin për Metrologjinë dhe i kërkon SPAK-ut që të hetojë mbi natyrën e kësaj nisme, që sipas tij krijoj mundësi për korrupsion dhe klientelizëm.
“Si President i Republikës, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të verifikuar se si është ndërmarrë dhe shqyrtuar nisma nga qeveria dhe cilat kanë qenë arsyet reale dhe autorët që e kanë shtyrë Kuvendin e Shqipërisë të pranojë këtë gjendje të rëndë, duke vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë ndihmuar, lehtësuar dhe kanë bërë të mundur që kjo nismë të shohë dritën e miratimit në Kuvend“, thuhet në argumentin e presidentit.
Më tej, kreu i shtetit arsyeton se “Pavarësisht këtyre qëllimeve të deklaruara, nga shqyrtimi i përmbajtjes së ligjit nr. 126/2020, objekt shqyrtimi në raport me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe kuadrin ligjor ekzistues në fuqi, rezulton se ligji nr. 126/2020 “Për metrologjinë”, është një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie, në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të “korrupsionit legjislativ””.
Një ditë më parë, kreu i shtetit ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin për gjendjen civile, duke arsyetuar se këto ndryshime mund të shkaktojnë kaos me listën e votuesve dhe të favorizojnë mazhorancën në procesin zgjedhor të radhës.
Sipas Metës, përmes këtyre ndryshimeve i krijohet mundësia mazhorancës që të transferojë votues në ato zona ku politikisht vlerëson se është më e dobët./ Bl.Ba/Fjala.al