Identifikohen dy vëllezërit nga Pogradeci që u gjetën të vrarë sot në Maliq. Mësohet se bëhet fjalë për Andrea dhe Martin Olldashin.
Referuar informacioneve të para policore, bëhet me dije se të dy janë me precedentë penalë. Mësohet se Andrea Olldashi ka qenë disa herë ne burg për vjedhje, kryesisht banesash.
Duke qenë se prej 3 ditësh nuk kishin shkuar në shtëpi, është bërë denoncimi në polici nga familjarët, të cilët thanë se të rinjtë ishin zhdukur pa lënë gjurmë.
Dy vëllezërit mësohet se ishin arrestuar nga policia 8 vite më parë pasi dyshohen se janë autorë të shpërthimit të një lokali në Pogradec, ngjarje e ndodhur në korrik të 2012. Tritoli i është vendosur biznesmenit Gjergj Leka.
Lidhur me vrasjen e tyre është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.
Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën, gjithashtu janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje.
Po ndiqet itinerari i lëvizjeve dhe po kryhen një sërë veprimesh hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si edhe kapjen e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve./Bl.Ba/Fjala.al