Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaron se sot Komisioni i Venecias ka miruatuar Opinionin Final për ndryshimet kushtetuese dhe ato të kodit zgjedhor në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook numri dy i PS, Balla, thekson se Venecia i ka cilësuar këto ndryshime në përputhje me standardet e praktikat e mira zgjedhore, ndaj edhe fton palët politike të respektojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Sipas Ballës, Komisioni Venecias vlerëson se Kuvendi është dhe mbetet legjitim për sa kohë ka gjithë kuorumet e nevojshme për çdo vendimarrje.
“Sot është miratuar opinioni final i Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ato kodit zgjedhor ku theksohet se ndryshimet e mësipërme janë në përputhje me standardet e praktikat e mira zgjedhore.
Komisioni kritikon veprimet e djegjes së mandatave nga opozita jashtëparlamentare si akt kundër trashëgimisë elektorale europiane dhe shprehet se opozita nuk mund të jetë sot në rolin e kritikuesit, kur ajo vetë e la rrugës procesin institucional.
Komisioni Venecias vlerëson se Kuvendi është dhe mbetet legjitim për sa kohë ka gjithë kuorumet e nevojshme për çdo vendimarrje.
Lidhur me koalicionet brenda ndryshimeve ligjore, opinioni Venecias i vlerëson gjithashtu në përputhje me standardet më të mira të zgjedhjeve.
Duhet të jemi të qartë se Komisioni i Venecias nuk analizon procedurën parlamentare.
Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias thekson nevojën që gjithë palët të kontribuojnë për organizimin e zgjedhjeve në 25 prill 2021 dhe rekomandon disa ndryshime të tjera ligjore pas zgjedhjeve të 2021.
Për Kuvendin e Shqipërisë dhe për Grupin Parlamentar Socialist në veçanti, sot e rëndësishme është çertifikimi i procesit ligjvënës në fjalë dhe tani sipas traditës sonë të bashkëpunimit me Venezian, të gjitha palët të respektojmë rekomandimet e Komisionit të Venecias“, shkruan Balla./Bl.Ba/Fjala.al