Një ditë pasi u gjetën të vrarë në një kanal vaditës në fshatin Zvirinë të Maliqit, kanë dalë detaje të reja nga ekzekutimi mafioz i dy vëllezërve nga Pogradeci, Andrea dhe Martin Olldashi.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja. Viktimat dyshohet se janë qëlluar me armë zjarri në kokë dhe në gjoks.
Dyshimet janë që ata mund të jenë ekzekutuar pikërisht në vendin ku u gjetën të vrarë edhe për shkak të terrenit, në mes të arave bujqësore dhe larg banesave.
Gjithashtu sipas disa burimeve, ka qenë një telefonatë që ka nxjerrë nga shtëpia në Pogradec dy vëllezërit me të shkuar kriminale në datë 7 dhjetor, datë që korrespondon dhe me ditën që kur ata kanë humbur kontaktet dhe nuk janë kthyer më në banesë.
Për këtë policia, ka sekuestruar disa telefona përfshi edhe të të njohurve të tyre. Dyshohet se vëllezërit janë marrë në një makinë më 7 dhjetor pasi kanë dalë nga shtëpia me të cilën kanë udhëtuar deri tek vendi i ngjarjes në fshatin Zvirinë të Maliqit, aty ku mendohet se dhe janë ekzekutuar.
Sipas informacioneve, Andrea Olldashi 33 vjeç ka qenë i dënuar për vjedhje, ku në vitin 2018 ka dalë nga burgu, ndërsa i vëllai Martin Olldashi nuk ka precedentë penalë.
Lidhur me ngjarjen krahas policisë së Korçës dhe komisariatit të Maliqit dhe Pogradecit, po hetohet edhe nga Krimet e Rënda të Tiranës.
Sipas uniformave blu, kanë qenë reshjet e shiut ato që bënë të mundur që një krah i njërit prej viktimave të dilte në sipërfaqe dhe ngjarja të zbulohej nga banorët.
Vëllezërit ishin denoncuar të zhdukur që prej datës 7 dhjetor. Ka qenë nëna e tyre që ka bërë denoncimin në polici, por kjo e fundit nuk kishte mundur të zbulonte asgjë.
Një nga pistat që policia është përqendruar në hetimet për zbardhjen e ngjarjes është trafiku i lëndëve narkotike, ku dy vëllezërit dyshohet të jenë përfshirë gjatë kohëve të fundit./Bl.Bl/Ba/Fjala.al