Taulant Balla, numri dy i Partisë Socialiste ka akuzuar drejtpërdrejt nga Shkodra për sulmin e sotëm mbi selinë e PS-së, ish-kryeministrin Sali Berisha, Presidentin Ilir Meta, kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi. Ai tha se nga nesër selia e PS do jetë gati përsëri për rolin e vet dhe se nuk ka asnjë dyshim që do fitojë më 25 prill.
“Jam i bindur se çfarë ndodhi sot nuk është vepër e shkodranëve, pasi shkdoranët janë simbol i demokracisë. Ka ardhur nga PD që po e përdor Shkodrën për qëllime të ndyra politike dhe me ta është edhe Ilir Meta. Sulmi është një sulm i porositur nga Tirana dhe ka për autor Sali Berishën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe për fat të keq edhe Lulzim Bashën që s’ka mundësi të ndërhyjë në këtë urdhër. Nuk jemi sot për të parë selinë e dëmtuar të PS-së, sepse PS nuk është një seli, është forca më e madhe politike në Shqipëri, dhe nuk ka dyshim që do të fitojmë në 25 prill.
Këtu jemi për të denoncuar këtë skenar dhune që nisi duke vjedhur një protestë paqësore për një humbje jete. Ne socialistët i shprehim ngushëllimet tona familjes sepse një punonjës nuk përfaqëson Policinë e Shtetit, i cili po ndëshkohet për krimin që ka bërë. Ky është standardi dhe krahasimi ynë me ata. Në 2011 nuk zbatohej urdhri i prokurorisë për të arrestuar ata që kishin kryer vrasjet. Monika Kryemadhi është rekrutuese e minorenëve, i bëj thirrje të heqi dorë dhe prindërve që të mos i lejojnë. Prokuroria ka bërë verifikimet dhe ne nxisim t’i shkojnë deri në fund. Kjo protestë është iniciuar nga PD dhe LSI në Shkodër dhe nga Voltana Ademi”, tha Balla.
Të njëjtin linjë ka ndjekur dhe Beqaj, teksa ka theksuar se fëmijët janë duke u përdorur si “kamikaz” duke shtuar se veprimi i një polici nuk përfaqëson Policinë e Shtetit.
“Shkodranët dhe shqiptarët janë të mençur për të kuptuar se një polic nuk është Policia e Shtetit. Ka përpjekje të shëmtuar për të përdorur fëmijët si kamikaz. Më vjen keq pse u zgjodh Shkodra për këtë provokim. Shkodra është e demokratëve dhe e socialistëve, por edhe mbarë shqiptarëve. Në Shkodër nuk ka ndodhur kurrë më parë që ndodhi sot. Ne do të vazhdojmë që të qëndrojmë me vendosmëri. Ka kohë që Sali Berisha mburret se ka vrarë njerëz në bulevard më 21 janar”, përfundoi Beqaj