Kryeministri Edi Rama reagoi kundër protestave që kanë nisur në Tiranë dhe disa rrethe në vend, pas vrasjes së 25-vjeccarit Klodjan Rasha nga një efektiv i policisë. Rama bëri përgjegjëse për orkestrimin e dhunës liderët e opozitës dhe presidentin Ilir Meta.
Në ditën e tretë të protestës, pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj u kërkua edhe largimi i kreut të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe reformim i strukturave të rendit. Rama: “Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj! Basha: “Revolta është rezultat i frymës së papërgjegjshmërisë, arrogancës dhe kulturës së pandëshkueshmërisë që vjen nga shefi i qeverisë”.
Nga Fernada Cenko
Kryeministri Edi Rama akuzon opozitën dhe Presidentin e Republikës për nxitje të dhunës në protestat e zhvilluara pas vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i repartit “Shqiponja” në Tiranë. Në një reagim në Tëitter, Rama thotë se opozita paguan minorenë për të kryer akte dhune nëpër rrugët e kryeqytetit. Sipas tij, opozita po poshtëron kujtimin e Klodianit për interesa politike. Kreu i qeverisë paralajmëron familjarët e të rinjve që i janë bashkuar protestave, të cilët sipas tij keqpërdoren nga LSI, që t’i ndalojnë ata së shkatërruari dhe djeguri, se ligji do të veprojë mbi këdo. “Thirrja ime për prindërit e minorenëve të abuzuar nga LSI është ruajini fëmijët nga kthetrat e të paudhëve pa atdhe, ndërsa për këdo tjetër që merr rrugët për të thyer e për të djegur, duhet të jetë shumë e qartë që loja e forcës me ligjin e me shtetin mbaron prapa hekurave!”, shkruan Rama në Tëitter. Kreu i qeverisë u bën thirrje protestuesve që të mos shkaktojnë dhunë, duke paralajmëruar se loja e forcës me shtetin përfundon prapa hekurave. “Opozita dhe Presidenti janë jo vetëm nxitësit, po edhe orkestruesit e dhunës që poshtëron kujtimin e Klodianit, gjoja për drejtësi por në fakt vetëm për hesapet politike të Lulit, Saliut, Iilirit, Monikës! Janë të dëshpëruar se s’kanë asnjë shans të rikthehen në pushtet me zgjedhje!”, shkruan Rama. Kreu i qeverisë tha se LSI po paguan minorenë për të djegur dhe thyer rrugëve të qytetit. “S’kanë më njësi komunale për të mbushur autobuzë, e dinë që përveç turmës së tkurrur të militantëve s’i ndjek më askush dhe paguajnë lart e poshtë deri edhe minorenë, duke u kërkuar të thyejnë e djegin rrugëve të qytetit, që të thonë ja s’ka rend, s’ka siguri, s’ka shtet..”, shkruan ai. Kreu i qeverisë tha se Monika, Basha dhe Meta janë orkestruesit e protestës. “Dhe ndërkohë që polici fajtor del para gjykatës, ministri i Brendshëm jep dorëheqjen (edhe pse aspak fajtor, po qytetar fisnik që njeh ndjesën), Saliu krenohet si ka vrarë e si do vriste akoma, Iliri akuzon policinë, Monika shpërndan gurët, Luli ha përshesh e pret të bëhet dhëndërr!”, tha Rama.
Reagimi
Lulzim Basha kreu i PD pati një takim me demokratët me rastin e 30 vjetorit të themelimit të PD nga ku shinjëstroi edhe kryeministrin Edi Rama për vrasjen e të riut nga polici. “Për këtë ngjarje të dhimbshme faji nuk është i policëve të thjeshtë familjarë që me siguri ndihen po aq të lënduar e solidarë sa edhe gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi. Është rezultat i frymës së papërgjegjshmërisë, arrogancës dhe kulturës së pandëshkueshmërisë që vjen nga shefi i qeverisë sepse populli ynë e di mirë që ‘peshku qelbet nga koka’. Është rezultat i punësimeve politike të njerëzve joprofesionistë me të kaluar të errët kriminale. Eshtë përgjegjësi e atyre krerve të policisë të emëruar nga partia që i shërbejnë pushtetit e jo qytetarëve”, tha Basha. Sipas tij, është rezultat i sabotimit dhe i defunksionalizimit të gjithë sistemit të drejtësisë për vite me radhë duke bërë të pamundur vënien para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve shtetëror abuzues.
Pa.Va/Fjala.al