Ish-kryetari i PD-së, ministër dhe deputet, Tritan Shehu, në një intervistë për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku” analizon situatën brenda kampit opozitar dhe vendimin e komisionit të vlerësimit. Si e kujton themelimin e PD-së dhe sfidat që sipas tij e presin vendin në vijim.
Nga Roland Qafoku
-Nesër mbushen 30 vjet nga themelimi i PD. Është një ngjarje shumë e rëndësishme, jo vetëm në historinë politike, por në historinë e shtetit shqiptar.
-Është një nga ditët më të mëdha në historinë kombëtare shqiptare, jo vetëm thjesht në historinë politike. Për herë të parë në histori, Shqipëria futet në pluralizëm politik. Shqipëria erdhi në dhjetor të 1990 nga një histori tragjike e saj. Nga një histori tragjike në marrëdhëniet e brendshme dhe në marrëdhëniet e jashtme. Nga një histori tragjike që ka qenë gjatë gjithë kohës pa demokraci dhe e dyta në një Shqipëri që zhvillimet negative historike, të brendshme apo të jashtme, na degdisën nga familja jonë evropiane, nga familja jonë perëndimore, dhe na çuan në skutat e lindjes. Ne erdhëm pa dyshim në nëntor 1990 nga kjo histori e gjatë dhe është një histori e cila pa dyshim ka influencat e saj edhe në zhvillimet e një vendi. 1990 e gjeti Shqipërinë pa traditë demokracie. Pati tendenca, por asnjëherë nuk u kondolidua demokracia. Diçka duhet pasur në konsidertë në atë periudhë, afrimi me Perëndimin. Lidhja me Italinë, me Austrinë, me SHBA-në. Në ato vite ishte një periudhë ku Shqipëria tentoi të afrohej me Perëndimin.
-A mund të ndani sot me publikun diçka që nuk e keni treguar ndonjëherë?
Ishte një zhvillim normal. Unë kam qenë mjek, kam qenë reanimator në kardio-kirurgji. Në fillim kisha leksion me studentët. Auditori ishte i përgjysmuar. E mbarova leksionin në pak minuta në mënyrë që t’iu jepja mundësi studentëve të largoheshin. Më pas shkova në sallën e operacionit për të marrë pjesë në një ndërhyrje kirurgjikale. Hyj në sallë, merrem me të sëmurin, nuk rrija dot.
-Ju kujtohet pacienti?
Jo. Thërras kolegët e mi. Iu thashë: “Vazhdoni ju ndiqeni se më duhet të largohem”. Dal dhe shkoj te dhoma e zhveshjes. Kur në këtë kohë vjen profesor Petrit Gaçja. Më sheh jo duke u veshur, por duke u zhveshur. Më pyet se përse po zhvishesha dhe i thashë se nuk mund të rrija më. E kuptoi dhe më tha të veproja siç më thoshte ndërgjegjia ime. Dhe unë shkova që Qytetin Studenti dhe që në atë moment filloi lidhja ime me Lëvizjen Studentore.
-A jeni dakord me atë që ka thënë Gazidede në Kuvend se trazirat i ka bërë CIA?
Qëndrimin tim si kryetar i PD në atë periudhë e kam dhënë në Kuvend që atë ditë. Unë kam qenë kryetar i PD dhe vendimin zyrtar të kësaj partie e jepja unë. Unë kam folur atë ditë në Kuvend. E keni të shkruar: SHBA-të dhe gjithë instrumentet amerikane kanë qenë vazhdimisht në bashkëpunim të ngushtë me ne në çdo moment, edhe në momentet më të vështira të Shqipërisë. Kanë qenë partnerët tanë më të mirë, aleatët tanë më të mirë, mbështetësit tanë më të mirë në të gjitha momentet e Shqipërisë.
-Ju keni ngritur një komision për vlerësimin e kandidaturave për deputetë të PD. Ju nuk jeni aty.
Për mua ka rëndësi votimi që u bë në Gjirokastër nga anëtarët e PD. Unë do të këshilloja diçka, ua kam thënë edhe gazetarëve të tjerë kur ma kanë bërë këtë pyetje. Mos u merrni me vogëlsira. Mos u merrni me intriga apo me intrigantë. Pa dyshim vota që më dha qarku i Gjirokastrës është thelbësore dhe këtë nuk mund ta lëkundin as intrigat dhe as intrigantët. Kaq!
-Po ju do jeni kandidat për deputet apo jo?
Unë kam qenë kryetar i PD. Padyshim në gjithë Partitë demokratike të botës për ish-kryetarin, vendos kryetari aktual. Askush tjetër nuk mund të vendosë për ish-kryetarin e PD përveçse kryetarit aktual.
-Domethënë e lini vetëm në dorën e Bashës?
Absolutisht, është një rregull në gjithë partitë demokratike të botës. Sot Shqipëria është vendi që ka humbjet më të mëdha në raport me vendet e tjera, për frymë, për mjekët.
-Sa është numri i mjekëve që kanë humbur jetën?
- Jemi në shifrat më të larta se çdo vend tjetër i Europës dhe i rajonit. Më të larta se Italia. Ta marr për frymë, ta marr dhe për numrin e mjekëve që kemi. Kush e ka fajin që nuk mbron personelin shëndetësor? E di ti që edhe sot mjekët e familjes marrin vetëm nga dy maska në javë, kur duhet të merrnin disa komplete veshjesh speciale në ditë?
-Çfarë ndodhi në Gjirokastër që numri i të infektuarve u rrit ndjeshëm?
Në Gjirokastër ndodhi një krim. Rilindja shpërtheu një bombë biologjike. Gjirokastra ka qenë e qetë relativisht. Në datën 24-25 tetor, për propagandë, duke mos respektuar asnjë masë, duke thirrur në Gjirokastër qindra njerëz, organizuan Retron, sollën makinat e vjetra dhe e mbushën Gjirokastrën me njerëz nga e gjithë Shqipëria. Një gjë që nuk duhet të ndodhte në një periudhë epidemiologjike. Në datën 7 nëntor, pikërisht dy cikle e gjysmë nga kjo, rastet shkuan 37 në Gjirokastër, 47, 67, 77.
-Tani Gjirokastra është në vend të parë?
Tani Gjirokastra është në vend të dytë pas Tiranës, por për frymë padyshim është në vend të parë. Dhe kur ne e ngritëm si çështje duke thënë se bënë krim, nuk bënë më testime në Gjirokastër. Pas dy ditësh e nxorrën Gjirokastrën zero. Kur ne bërtitëm, doli prapë 60 e ca.
-Kur do vaksinohen shqiptarët?
Nuk ka asnjë perspektivë. Vaksina vjen duke firmos kontrata me kohë, duke bërë pagesat me kohë.
-Kur e parashikoni ju se do ndodhë kjo?
Ne e kemi ngritur që në shtator se duhej gjetur menjëherë firma prodhuese. Fatkeqësisht ata u lidhën me një organizëm i cili punon për vendet e pazhvilluara, Covax, i cili është në organizëm i OBSH-së që ka marrë një financim të vogël nga BE, ndërsa qeveria amerikane nuk e ka financuar sepse e ka cilësuar si të pabesueshme. Është i përputhshëm me standardet e vendeve të pazhvilluara, kryesisht ato afrikane. Edhe me Covax nuk është bërë kontratë akoma, ka vetëm një marrëveshje mirëkuptimi. Covax merr përsipër maksimumi vetëm 20% të popullsisë. Dhe koha e sjelljes së vaksinave nga Covaxi është deri në fund të vitit 2021.
-Kur do fillojë?
Me informatat që kam unë, Covax do fillojë të furnizohet nga korriku, dhe pastaj do fillojë shpërndarja në vendet që ka marrëveshje.
-Dhe kur vjen në Shqipëri?
Unë mendoj se po të vazhdojë me Covax-in në Shqipëri vaksina do vijë nga gushti ose shtatori.
-Thuhet se ata që janë alergjikë nuk mund ta bëjnë vaksinën anti-covid.
Jo nuk është kështu. Ka shumë nivele alergjie. Ka njerëz shumë sensibël, ka njerëz më pak sensibël. Së dyti, unë jam reanimator dhe ne aplikojmë menjëherë medikamente dhe kur e dimë që mund të krijojë një reaksion alergjik te tjetri, por duke i marrë të gjitha masat. Sot shkenca është zhvilluar në këtë fushë dhe nuk janë kaq të frikshme këto gjëra. Padyshim këkron një farë studimi për pacientin, për ata që kanë alergji të theksuara.
-Cili është komenti juaj lidhur me vrasjen e të riut 25-vjeçar Klodian Rasha?
Dua të shpreh ngushëllimet e mia familjes, miqve, shokëve, të rinjve në përgjithësi. Është një humbje absurde, tragjike, shumë e rëndë. Një jetë njeriu në atë moshë të humbë në atë mënyrë, te dera e shtëpisë së tij, të kujton ngjarjet më makabre që mund të ndodhin. Së dyti, është një tregues i rëndë. Është një këmbanë e fortë alarmi për këtë gjendje absolutisht të vështirë, kaotike, autokracie, egërrsie që krijohet ndaj njerëzve, e cila çoi në këtë gjendje. Padyshim janë nivele të thella të mungesës së profesionalizmit të strukturave, të atyre që merren me këtë çështje, probleme të përzgjedhjes së njerëzve, është një vepër që të çon në shumë konkluzione. Të çon në konkluzione të rënda.
-Pse po politizohet kjo situatë?
Nuk shoh politizim. Dje protesta u bë nga të rinjtë. Por PD do ngrejë zërin gjithmonë ndaj padrejtësive. Kjo ngjarje duhet të analizohet. Mua më kujton ngjarjet e shkurtit të 1991, vrasjen e një djali në shkurt të 1991. Është një ngjarje që të bën të mendosh shumë.
Pa.Va/Fjala.al