Policia e Shtetit thotë se ka arrestuar Plaurent Dervishajn, të shpallur në kërkim si person i dyshuar i përfshirë në dy vrasje të bujshme të vitit 2005, ku mbetën viktimë Vajdin Lamaj dhe Klodian Saliu.
Dervishaj është arrestuar nga Interpol në Abu Dabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe do të ekstradohet drejt Shqipërisë, ku edhe do të nisë procesi për veprat për të cilat akuzohet.
Ndaj 48-vjeçarit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, kishte vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit me pasoja të rënda, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”.