Nga MICHAEL SPENCE & DANNY LEIPZIGER
Pjesa më e madhe e recetave dhe zgjidhjeve të mençura konvencionale për mënyrën se si qeveritë duhet të menaxhojnë pasojat ekonomike COVID-19 është shumë e përshtatshme për ekonomitë e zhvilluara, por e rrezikshme për ekonomitë që nuk janë të tilla. Edhe nëse ekonomitë në vendet në zhvillim dhe ato me ekonomi emergjente mund të marrin borxhe dhe të shpenzojnë më shumë për të përballuar stuhinë e covid-19, ky veprim mund të rrezikojë seriozisht perspektivat e tyre ekonomike afat-gjata.
Shpenzimet gjithnjë në rritje të qeverive për mbështetjen dhe menaxhimin e shëndetit publik, mbështetjen e familjeve që kanë humbur të ardhurat e tyre, kujdesi dhe ruajtja e bizneseve që rrezikohen seriozisht të falimentojnë duke shkaktuar dëme afatgjata në punësim dhe prodhim, janë thelbësore dhe domosdoshmëri jetike për cdo vend.
Kristalina Georgieva, drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ju ka kërkuar qeverive dhe politikëbërësve që “të shpenzojnë, por të ruajnë faturat”. Po kështu, Kryekonomisti i Bankës Botërore Carmen M. Reinhart na kujton se, “së pari shqetësohuni për luftën, pastaj kuptoni se si të paguani për të”.
Megjithëse këto rekomandime janë të vlefshme e të mirëkuptuara për vendet me sisteme fiskale solide, rreziqet afatgjata të rritjes së shpenzimeve mund të jenë me rrezikshmëri të lartë për vende të tjera me sisteme fiskale të dobëta e të paqëndrueshme. Në vitin 2008, Komisioni për Rritjen dhe Zhvillimin (Komisioni për Rritjen dhe Zhvillimin, i njohur jozyrtarisht si Komisioni i Rritjes, është një organ i pavarur i kryesuar nga ekonomisti amerikan Michael Spence në të cilin bëjnë pjesë 22 politikëbërës, akademikë dhe drejtues biznesi, me qëllim kryesor shqyrtimin e aspekteve të ndryshme të rritjes dhe zhvillimit ekonomik), në të cilin ne të dy jemi të angazhuar, ka dëshmuar se vendet e zhvilluara e të suksesshme ja detyrojnë këtë rezultat rritjes së tyre ekonomike dhe cilësisë së shpenzimeve të tyre kapitale e sociale. Në analizat tona, konstatuam se vendet më performante të këtij grupi vendesh të zhvilluara, i kishin drejtuar e orientuar ekonomitë e tyre duke rruajtur nivele kursimesh të përafërta apo të barabarta me nivelet e investimeve, në mënyrë që defiçitet e llogarive korrente të tyre të ishin sa më minimale.
Megjithatë, aktualisht, ka shumë vende – disa prej të cilave hynë në periudhën e paqndemisë së covid-19 me nivele mjaft të larta të borxhit publik – që nuk kanë rezultuar administrues efiçentë të burimeve publike si pasojë e zgjedhjeve jo-efiçente e zbatimeve plot difekte të projekteve të zhvillimit, shënjestrime të gabuara të shpenzimeve sociale, subvencioneve të panevojshme e shpesh të kota, apo korrupsion në përmasa të gjera e të pakontrollueshëm.
Si Banka Botërore ashtu edhe FMN-ja disponojnë instrumente efikase për matjen e cilësisë së shpenzimeve publike dhe kanë në dispozicion një tërësi indikatorësh e indeksesh që tregojnë nivelin e qeverisjes së një vendi në krahasim standartet cilësore që shprehin cilësinë e shpenzimeve publike. Për qeveritë, historia e kaluar e të cilave ka lënë shumë për të dëshiruar në këtë drejtim, rritja e borxheve e pasuar nga rritja e shpenzimeve, nuk konsiderohet si mënyra më e mirë e veprimit.
Mbi të gjitha, qytetarët e një vendi nuk shërbehen mirë kur qeveria e tyre rrit borxhin publik gjithnjë e më shumë, në mënyrë që pastaj ta shpenzojë atë pa kujdesin dhe eficencën e duhur. Për vende të tilla, huamarrja në monedha të forta në një kohë kur eksportet janë në ulje dhe kurset e këmbimit të monedhave janë mjaft të kushtëzuara, thjesht e bën më të mundshëm një rriprogramim e ristrukturim të borxhit në të ardhmen, veprim që në të ardhmen, mund ti vendosë institucionet financiare ndërkombëtare si FMN në një pozitë të vështirë, duke pasur parasysh se aktualisht vetë FMN është duke kërkuar e stimuluar borxhe e shpenzime shtesë të pakushtëzuara.
Rritja ekonomike varet nga eficenca e lartë e investimeve publike në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturë. Vendet që kanë investuar me mençuri në këto fusha kanë parë rritje e zhvillim të ekonomive të tyre, ndërsa ato që kanë investuar pa efiçencën e duhur kanë përfunduar vende me borxh publik të lartë dhe me pak mundësi për ti shlyer ato, veçanërisht nëse borxhet janë në valutë të huaj. Duke pasur parasysh që shumica e vendeve në zhvillim kanë hapësirë të kufizuar për të marrë hua në tregjet e brendshme të kapitalit, çdo shpenzim shtesë ka të ngjarë të financohet nga jashtë me rregulla dhe norma interesi të tregut ndërkombëtar. Potencialisht, kjo është recetë që mund të çojë drejt katastrofës.
Në mjedisin e sotëm me norma të ulëta interesi në tregjet monetare ndërkombëtare, deklarohet shpesh se, për sa kohë që kostot e huamarrjes janë nën përqindjen e rritjes ekonomike, shpenzimet shtesë të financuara nga borxhi publik, kanë kuptim dhe janë të pranueshme. Por, përsëri, ndërsa ky argument është i pranueshëm dhe pozitiv kur zbatohet në vendet e pasura e të zhvilluara, ai paraqet mjaft rreziqe në kontekstin e ekonomive dhe vendeve në zhvillim e ato me ekonomi emergjente, ku faktorë të tillë si efiçenca dhe shpërndarja e drejtë e shpenzimeve kanë shumë rëndësi. Këto çështje nuk duhet të neglizhohen – edhe gjatë një pandemie – sepse ato mund të rrisin barrën e borxhit në të ardhmen dhe të zvogëlojnë shanset e një zhvillimi të suksesshëm afatgjatë.
Për më tepër, ka qasje më efektive për të përballuar dilemat buxhetore e fiskale me të cilat përballen ekonomitë në zhvillim dhe ato emergjente. Këto përfshijnë rritjen e shumave të ndihmës së adresuar specifikisht për grupet sociale në nevojë; zgjatjen e periudhës së kredive të FMN, e cila mund të kushtëzohet nga garancia se burimet do të përdoren në mënyrë më cilësore; dhe programet e kombinuara të FMN-së dhe Bankës Botërore që përfshijnë masa specifike të performancës buxhetore e fiskale.
Pas krizave të borxhit të viteve 1980-të, institucionet e Bretton Woods, FMN dhe Banka Botërore, bashkëpunuan për të prodhuar paketa politikash afatmesme që do të krijonin mundësi për financime të reja dhe integrimin e fondeve specifike në kuadrin e planeve bindëse e të arsyeshme zhvillimi ekonomiko-social. Tashmë, korniza politikash apo paketa të tilla formale mund të riaktivizohen në mënyrë që të jepen siguritë e duhura për huadhënësit/kreditorët që problemet kryesore të difekteve strukturore dhe mangësitë në qeverisje të vendeve huamarrëse do të shkojnë drejt zgjidhjeve të duhura e të kërkuara.
Për gjithë ata që shqetësohen për pasojat dhe efektet e një kushtëzimi të tillë, vlen të kujtohet se rimodelimi apo ristrukturimi i borxhit, nëse një gjë e tillë do të bëhet paraprakisht, kërkon që huamarrësit të ndërtojnë qartësisht politika mbështetëse të rritjes ekonomike dhe menaxhimit të borxhit të cilat mund të projektohen dhe zbatohen nëpërmjet bashkëpunimit dhe kontrollit reciprok me bankat dhe “të tretët”. Alternativa – riskedulim i borxhit nën presionin e kushtëzimeve ose ofrimit të formulave detyruese në këtë drejtim – është një mundësi më e keqe në raport me programet e financuara bashkarisht nga FMN dhe Banka Botërore, të cilat mund ta sigurojnë borxhin në kushte më të mira e më të pranueshme.
Natyrisht, një kornizë politikash e masash specifike që ofron një lehtësim afatgjatë dhe që njëkohësisht adreson problematikën e defiçiteve buxhetore dhe vështirësitë në shlyerjen e borxheve, kërkon mekanizma financiare ndërkombëtare në mënyrë që ta orientojë rimbursimin e borxhit drejt zgjidhjeve të qëndrueshme afatgjata. Në ndryshim nga politikat dhe zgjidhjet e mëparshme të reduktimit të borxhit (Nisma për Vendet e Varfëra me nivel shumë të lartë borxhesh dhe Inisiativa e lehtësimit të borxheve shumëpalëshe), rrethanat aktuale tregojnë se problematika e borxheve të larta do të rëndojë më shumë vendeve huamarrëse me të ardhura mesatare dhe pesha e borxhit do të bjerë kryesisht mbi huamarrësit me të ardhura të mesme. Si e tillë, duhet të ketë një arkitekturë të re për rri-planifikimin e borxheve që përfshin aktivisht edhe huadhënësit komercialë.
Çdo iniciativë e tillë do të duhet të miratohet në kuadrin e G20, e cila tashmë ka rënë dakord të shkojë drejt një kornize të re globale të ristrukturimit të borxhit. Kjo qasje duhet të përfshijë zyrtarisht të gjitha vendet kryesore kreditore. Është në interesin e të gjithë kreditorëve që të bashkohen në një ushtrim të tillë, si për të shmangur fenomenin e “free rider problem”, si edhe për të siguruar transparencën e informacionit mbi borxhet dhe specifikat e tyre.
Kohët e jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme. Nëse dështojnë në ndërrmarjen e një veprim të guximshëm sot, vendet në zhvillim dhe ato me ekonomi emergjente mund të futen në një rrugë pa krye duke humbur vite apo edhe dekada progresi në botën post-pandemike. Në ekonominë e sotme “pandemike”, amortizuesit fiskalë, shpenzimet efikase publike dhe instrumentet e reja për rri-profilizimin paraprak të pagesave të paqëndrueshme të borxhit duhet të bëhen pjesë e domosdoshme e përgjigjes së nevojshme.
Fjala është e lirë. Liria është fuqi!
E-mail : info@fjala.al
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Fjala.al. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e FJALA.al, është shkelje e të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi.
FJALA MEDIA GROUP
NUIS/NIPT : L92423005H
Subscribe to Updates
Get the latest creative news from FooBar about art, design and business.
© 2025 Gazeta Fjala. All rights reserved. Dev by Keminet & iRegister.