Familja e Sami Duqit në fshatin Pëllumbas hyri sot në shtëpinë e re, të rindërtuar pas tërmetit. Sami Duqi mori dokumentet e pronësisë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se puna për të rindërtuar të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti ‘është treguesi më i qartë i diferencës që ekziston mes atyre që komentojnë nëpër rrjete sociale dhe atyre që kanë zgjedhur të japin një kontribut konkret’. Ai nënvizoi se rindërtimi do të vijojë me të njëjtën frymë në çdo cep të qytetit.
“Kam lënë porosi që qyteti t’i rikthehet normalitetit, pas asaj jave traumatike që patëm me protestat. Do të zëvendësohet çdo semafor, çdo pllakë, çdo gur, sigurisht edhe çdo zbukurim. Do të rivendosim pemën e Vitit të Ri për fëmijët dhe vogëlushët e Tiranës. Kësaj here do ta dekorojmë edhe me 25 yje që simbolizojnë 25 mjekët heronj, të cilët ranë në betejën me pandeminë. Kështu, kujtojmë sakrificën e tyre dhe u shprehim mirënjohjen tonë”, deklaroi ai.
Veliaj tha se gabon kush mendon se mund t’i imponohet qytetit me dhunë. “Ka parti politike që mund ta vjedhin përkohësisht qetësinë tonë, siç ndodhi me ata që stimuluan dhunën dhe përdorën fëmijët për të dhunuar, por ju siguroj se në këtë qytet dhe në këtë shtet nuk e vjedh kush gëzimin, nuk i vjedh dot kush festat, nuk e vjedh dot kush optimizmin e fëmijëve.
Vitin do ta mbyllim me këtë energji pozitive, për të harruar të gjitha problematikat që lamë pas. Kush mendon se mund të imponohet me dhunë, e sfidoj e i them: Bëj një gjest të mirë, ço një pako me ndihma në një familje, punëso dikë, trego mirësi e solidaritet ndaj dikujt, sepse festat janë për të kujtuar vlerat që kemi si qenie njerëzore”, tha Veliaj./Bl.Ba/Fjala.al