Nuk kanë të mbaruar gafat e gjyqtarit të Shkodrës, Andi Ymeri, i cili është përfshirë në një skandal me ambasadën Amerikane në Tiranë, për shkak të lirimit të një personi, siç është Arben Bregu, arrestuar në Shqipëri në muajin qershor 2020, pasi kërkohej në SHBA, qysh prej vitit 2013. Ymeri, nëpërmjet një vendimi të datës 17 janar 2021, ditë e dielë, vendosi të lirojë nga qelia personin, Arben Bregu, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kërkonin për një tentativë vrasje të kryer në vitin 2013, në Florida, kundër një qytetari amerikan.
Por ky është vetëm një vendim që nxori në dritë bëmat e gjyqtarit Andri Ymeri dhe përplasjen e tij me Ambasadën Amerikane në Tiranë. Kjo pasi rekorde të tjera, me vendime skandaloze janë shënuar në ditët e mëparshme gjatë ushtrimit të detyrës nga gjyqtari Ymeri. Në datën 7 dhjetor 2020, gjyqtari i Shkodrës Ymeri, rezulton të ketë firmosur një vendim për dëmshpërblimin financiar të familjes Karini nga Shkodra, duke i njohur kësaj të fundit të drejtën për të përfituar një vler prej 470 milion lek, në një proces gjyqësor që ka përfunduar në kohë rekord.
Vetëm katër muaj, i kanë mjaftuar gjyqtarit Ymeri, për të përfunduar të gjithë procedurën gjyqësore, duke shmangur të gjitha kërkimet procedurale të mbrojtjes së një klinike Gjermane në Tiranë. Por sikur mos të këtë mjaftuar ky fakt, gjyqtari ka urdhëruar ekzekutimin e menjëherëshëm të dëmshpërblimit, dhe pse vendimi gjyqësor nuk ka marrë formë të prerë, duke shmangur kësisoj kontrollin e ligjshmërisë së vendimarrjes së tij nga Gjykata e Apelit Shkodër.
Por shkeljet proceduriale të gjyqtarit Andri Ymeri, nuk mbarojnë këtu. I gjithë procesi gjyqësor është ngritur mbi një akt ekspertimi, i bërë nga mjeku Besnik Mustafaj, i cili nuk mund të kishte cilësinë e ekspertit duke qënë se kishte pritur, pacienten Karini, në Spitalin Rajonal Shkodër, kishte plotësuar epikrizën e saj, kishte bërë diagnostikimin e pacientes, kishte dhënë referencën për përfitimin nga ana e saj të Statusit të Invalidit.
Por për gjyqtarin Ymeri, të gjithë këto argumente nuk kanë pasur asnjë rëndësi. Ai e ka konsideruar të përshtatshëm ekspertin për kryerjen e detyrës, pasi për të mjaftonte fakti, që “eksperti” të arrinte në përfundimin tashmë të sygjeruar nga vetë gjykata.
Po për ekspertët e tjerë në gjykim, nuk është përjashtuar asnjëherë mundësia se dëmtimi i pacientes, M.Karini, mund të këtë ardhur dhe nga trauma, e shkaktuar nga rënia e saj, nga një lartësi 5 metra. Pavarësisht se nga përfaqësuesi i palës së paditur, gjëndja e pacientes është paraqitur dramatike, ka rezultuar se pacientja nuk ka arritur të përfitojë cilësinë e invalides, por dhe ky argument për gjyqtarin, nuk ka pasur kurrfare rëndësie.
Por sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, gjykata në disa raste ka ndërhyrë vetë në formulimin e aktit të ekspertimit, duke sygjeruar ekspertit të përllogaritjes së dëmit, rritjen e vlerës, pasi gjyqtarit i cili supozohet se duhet të jetë i paanshëm në gjykim, vlera e parë e konkluduar nga ekspertët i është dukur jo e kënaqëshme.
Dhe në fakt ashtu ka ndodhur, pas ndërhyrjes “ligjore” të gjyqtarit, vlera e dëmit ka pesuar një rritje me 30 për qind. Dhe përfundimisht, kulmi i shkeljes ligjore, arrin në pjesën e vendimit, ku gjyqtari shprehet se detyrimi duhet të ekzekutohet dhe kundër ortakeve, administratorit, madje dhe një prej punonjësve të poliklinikës mjekësore, i pranishëm në séancë, faji i vetëm i të cilit ka qënë “nënqeshja”, me vendimarrjen e gjyqtarit Ymeri.
Për ccdo student i të drejtës është i njohur parimi, se asnjë gjykatë nuk mund të ngarkojë me përgjegjësi personat, të cilët nuk kanë qënë palë në një gjykim. Pa dashur të aludojmë, apo te ngremë akuza nuk mund të mbetemi pa përmendur faktin se familja Karini, por dhe vetë përfaqesuesi ligjor i saj, ka një lidhje fisnore me Kryetarin e Gjykatës së Apelit Shkodër, Zotin Fuat Vjerdha, ky i fundit i rikthyer në detyrë nga KPA-ja vetëm pak muaj më parë. Mbase për gjytarin Ymeri, është i panjohur lidhja e tyre fisnore!