Kryeministri Edi Rama i ka dhënë përgjigje kryediplomates Yuri Kim se kandidatët do të firmosin vetë për pastërtinë e tyre. Sipas tij, do të zbatohet ligji dhe se kush gënjen ka përgjegjësi individuale
Fernada Cenko
Kryediplomatja Yuri Kim i ka kërkuar kryetarëve të partive që të mos kandidojnë kandidatë që kanë një të shkuar kriminale, duke kërkuar që më parë ata të kalojnë një “vetting”, para se të bëhen pjesë të listës. Dje, kryesocialisti Edi Rama i është përgjigjur Yuri Kim për deklaratat e saj të njëpasnjëshme në lidhje me emrat që do të futen në Parlament. Kur doli nga selia rozë, pas një mbledhje me drejtuesit e Partisë Socialiste në qarqe Rama dha një prononcim në lidhje me deklaratat e ambasadores amerikane. Ai tha do zbatohet ligji dhe se kush gënjen në vetëdeklarim ka përgjegjësi individuale, nëse rezulton i dënuar apo me të shkuar kriminale. Sa i përket listës së kandidatëve për deputetë për 25 prillin, Rama tha se është në proces dhe sigurisht lista përfundimtare do të jetë ajo që do të deklarohet kur të çohet në KQZ. “Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale jo partie. Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. Skemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive nëse dikush fsheh diçka. Ne shohim dokumentacionin në dispozicion”, theksoi kryeministri Rama. Kreu i qeverisë u pyet edhe për emra të veçantë, si Gledion Rahovica që ka kaluar nga Lëvizja Socialiste për Integrim tek PS, por theksoi se emrat janë çështje e procesit. “Nuk bëj komente për emra të veçantë sepse emrat e veçantë janë çështje e procesit të vazhdon. Në fund do të dalë lista duke u bazuar dhe tek puna që secili bën deri tani që flasim. Duke u bazuar tek një skuadër, kështu që është e kotë të merremi me emra të veçantë”, tha kryeministri Edi Rama. Shefi i Qeverisë pothuajse e ka konfirmuar kandidimin në Vlorë e Durrës, megjithëse jo 100%. Ai deklaroi se Vlorën nuk e lë. “Ky është problemi më i vogël, por është e sigurt që Vlorën unë nuk e lë dhe Durrësit i kam një borxh”, deklaroi Rama.