Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një miqësore me Uellsin më datë 5 qershor 2021. Një gjë e tillë është bërë e ditur të mërkurën pasdreke nga zyra e shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), që ka bërë të ditur se të dyja federatat kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, që do të zhvillohet në Uells, duke dhënë edhe hollësitë për zhvillimin e saj.
Takimi do të luhet në Stadiumin “Cardiff City” dhe do të nisë në ora 18:00. Kjo do të jetë ndeshja e katërt midis Shqipërisë dhe Uellsit në histori, teksa në të kaluarën, dy ekipet përfaqësuese janë përballur 3 herë me njëra-tjetrën. Shqipëria ka luajtur dy herë kundër Uellsit, në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Evropianit të 1996-ës.
Ndeshja e parë u luajt pikërisht në Kardif, më 7 shtator 1994, dhe përfundoi me fitoren e vendasve me shifrat 2-0, teksa golat u shënuan nga Kris Kolman, në minutën e 10-të, dhe Rajën Gigsi në minutën e 67-të. Në sfidën e dytë mids përfaqësueseve të dy vendeve, të luajtur më 15 nëntor 1995, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës rezultati u fiksua në barazim 1-1.
Sokol Kushta kaloi në epësi kuqezinjtë me një gol të realizuar në minutën e 5-të, ndërsa uellsianët barazuan shifrat në minutën e 43-të me anë të Mark Pembridxhit. Ndeshja e tretë mes dy vendeve u luajt më 20 nëntor 2018, në Stadiumin “Elbasan Arena”. Sfida, që ishte një miqësore, u mbyll me fitoren 1-0 të Shqipërisë falë golit të Bekim Balajt në minutën e 58-të.