Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin e 40-vjeçarit në Vlorë.
Bëhet me dije se policia ka marrë në pyetje 15 persona. Nga uniformat blu janë marrë në pyetje dhe familjarët dhe të afërmit e viktimës, Gentjan Qarri.
Ngjarja mbrëmjen e djeshme ka tronditur Vlorën, ku një makinë ka qëlluar me breshëri plumbash drejtë 40-vjeçarit, deri kur ka mbaruar karikatori.
Ai shkoi në spital në gjendje të rëndë, por nuk mundi të mbijetojë plagëve në kraharor duke qenë se mori disa plumba. Qarri ka marrë disa plumba, dhe në gjymtyrët e poshtëm, por ato në kraharor kanë qenë fatalë për të.
Në zonë ka shumë kamera sigurie, bare, lokale, farmaci, dhe hetuesit po bëjnë grumbullimin e provave. Autorët thuhet se kanë qenë me kapele të zezë dhe maskë Covidi. Kamera ka dhe gjatë rrugës që kanë përshkuar atentatorët deri në djegien e makinës.
I riu njihej me nofkën ‘Geçe’ dhe kishte pak vite që ishte kthyer nga Italia, pasi ishte dënuar atje me 15 vite burg për drogë. Nuk dihet se cili ka qenë motivi i këtij atentati, por viktima ka qenë me precedentë penal dhe nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes në aktivitete kriminale.
Ngjarja ka ndodhur pranë Bibliotekës te Kisha Ortodokse, në lagjen “29 nëntori”. Autorët janë larguar dhe policia e cila po punon për kapjen e tyre, ka gjetur një makinë tip ‘Toyota’ të djegur në Pyllin e Sodës. Pranë automjetit është gjetur një armë tip sharrs. Autoritetet gjithashtu kanë ngritur postblloqe në pika kyçe në qytet.