Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe gazetarët u shpreh se për të mos shkuar te marrja e masave ekstreme për të parandaluar përhapjen e Covid-19 duhet të tregohemi të përgjegjshëm në zbatimin e masave aktuale.
Kryeministri Rama u shpreh se gjatë javëve të fundit është vënë re një rënie e moshës mesatare e të shtruarve në spitale. Kjo për shkak se moshat e reja po tregohen shumë të papërgjegjshme në respektimin e masave.
Rama bëri gjithashtu me dije se autoritetet shëndetësore janë sinjalizuar se në Shqipëri kanë hyrë variante të Covid-19, por nuk e specifikoi se cilët variante janë prezente.
“Kemi sinjale te arsyeshme se në Shqipëri kanë hyrë variante të reja të Covid-19…kemi rritje të infektimeve edhe në grup moshat e reja. Jemi shumë të motivuar të bëjmë çdo gjë si duhet që të mos detyrohemi të kthehemi tek masat e forta kufizuese. Për ketë duhet motivim i gjithsecilit. Ajo që po konsiderohet kudo si një tjetër valë infektimesh dhe që u vu re me numra që u rritën në mënyrë dramatike po reflektohet tani edhe këtu.
Masat që janë në fuqi janë masa që në këndvështrimin e ekspertëve të komitetit teknik funksionojnë, por që të funksionojnë siç duhet, duhen zbatuar. Është vënë re një shkelje rregullash kohët e fundit, është e papërgjegjshme që edhe politikanët i shkelin rregullat nëpër grumbullime”,– tha Rama.
Gjobat për të gjitha bizneset që thyejnë masat anti-COVID do të rriten duke filluar nga java e ardhshme. Kryeministri Rama paralajmëroi se Policia e Shtetit dhe inspektoratet do të imponojnë respektimin e këtyre masave.
“Pfizer do të vijojë lëvrimin e sasive të tjera, duke nisur nga mesi i shkurtit. Vaksinat do të shtohen dhe numri i vaksinimeve do të rriten. Koha kur vaksinat dhe masa e numrit të të vaksinuarve të këpusë zinxhirin është ende larg, në të gjitha vendet jo vetëm këtu.
Po nënvizoj edhe një herë, duke filluar nga tregtarët duhet në asnjë mënyrë ta marrin si një mundësi për të abuzuar. tregtarët kanë përgjegjësi të posaçme pasi kanë edhe mjediset e tyre ku ndërveprimi është më i madh i njerëzve dhe rreziku më i madh është pikërisht aty. Nëse nuk duam që të kthehemi tek masat e forta kufizuese duhet që sot të mos kërkojmë të rrezikojmë jetën e njerëzve dhe stabilitetin e sistemit tonë shëndetësor. Ne nuk duam që policia e shtetit dhe inspektoratit të hyjnë dhe të dalin nëpër lokale, bare, nëpër qendra tregtare, restorante e kështu me radhë sepse kjo nuk është në të mirë të biznesit. Për nëse nuk ka reagim patjetër do të ndodhë kështu. Policia e Shtetit dhe inspektoratet do të imponojnë.
Do të rrisim gjobat për baret, lokalet, restorantet dhe qendrat lokale dhe do të bëjmë një përshkallëzim. E kam shumë mik Ermal Mamaqin por është e patolerueshme që të bëhet një grumbullim i tillë, aq më të tepër kur është personazh i njohur. Është shembulli më i keq për të gjithë. E kështu me radhë lokalet në bllok, në zona të caktuara në Tiranë dhe jo vetëm, lokalet me më shumë fitime e më pak dhimbje koke të bëhen vatra ku kërcen COVID me muzikë është e patolerushme. Është një thirrje për solidaritet, për unitet, të mos hapim të çara në një situatë kur të gjithë duhet të luajë rolin e vet”, tha Rama.
(R.Garkiva.fjala.al/)