Sinjale të arsyeshme se në Shqipëri kanë hyrë variantet e reja të COVID
Situata e Covid-19 në Shqipëri nuk premton zbutje të shpejtë. Madje ditët e fundit ajo ka qenë mjaft agresive duke rritur ndjeshëm shifrat e fataliteteve si dhe të infektimeve ditore. Në këto kushte po diskutohet rimbyllja e Shqipërisë. Pikëpyetjet janë vënë nga kryeministri Edi Rama dhe janë përforcuar nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini: Mund të kemi kufizim të orës policore, me variante të ndryshme, ka qenë versioni i mundshëm, nëse ekspertët e komitetit teknik do ta shohin të nevojshme.
Edi Rama
Kryeministri i vendit Edi Rama në një bashkëbisedim me gazetarët për shëndetësinë deklaroi se ka sinjale të arsyeshme se në vend kanë hyrë variantet e reja të Covid pa specifikuar raste konkrete. Rama tha po ashtu se janë shtuar shtrimet në spitale edhe në mosha të reja, duke e vënë theksin tek zbatimi i rregullave. Ndryshe, mund të kthehemi tek masat e forta kufizuese.
“Kemi sinjale te arsyeshme se në Shqipëri kanë hyrë variante të reja të covid 19. Kemi rritje të infektimeve edhe në grupmoshat e reja. Jemi shumë të motivuar të bëjmë çdo gjë si duhet që të mos detyrohemi të kthehemi tek masat e forta kufizuese. Për ketë duhet motivim i gjithsecilit. Ajo që po konsiderohet kudo si një tjetër valë infektimesh dhe që u vu re me numra që u rritën në mënyrë dramatike po reflektohet tani edhe këtu. Masat që janë në fuqi janë masa që në këndvështrimin e ekspertëve të komitetit teknik funksionojnë, por që të funksionojnë siç duhet, duhen zbatuar. Është vënë re një shkelje rregullash kohët e fundit, është e papërgjegjshme që edhe politikanët i shkelin rregullat nëpër grumbullime”,- tha Rama.
Eugena Tomini
Zv/ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini ka folur për masat e reja kufizuese që mund të hyjnë në fuqi për Shqipërinë. Tomini ka deklaruar se nëse nuk zbatohet protokolli do të ndërveprohet me gjoba ndaj kujtdo, por kjo është pika e fundit drejt kufizimeve. Sipas saj po diskutohet për ndryshim dhe kufizim të orës policore, teksa në lojë janë variante të ndryshme.
“COVID-19 është më shumë se kurrë, me këtë pozitivitet. Edhe Komiteti bëri thirrje për sensibilizim, për zbatim rigoroz të masave. Janë masa të vogla që duhen respektuar. Sigurisht që masat, nëse ka qenë një lloj sensibilizimi edhe për maskën, edhe për protokollet e sigurisë, ka qenë marrëveshje ndërgjegjësimi mes strukturave dhe institucioneve monitoriuese. Nëse nuk do shihet ky zbatim i protokollit, do të ndërveprohet me gjoba administrative ndaj tyre. Nëse nuk do të kenë efekt, është pika e fundit drejt kufizimeve”, është shprehur zv/ministrja e Shëndetësisë.
Ndërkohë Tomini tha se disa mostra nuk rezultojnë COVID-19, prandaj do të dërgohen në Berlin për ekzaminim. “Që nga momenti i konstatimit të qarkullimit të varianteve të reja, kanë qenë strukturat në shkallë më të lartë alerti. Po dedektohen mostrat tek grupmoshat e reja. Ka indicie, dhe një paketë e mostrave përkundrejt sinjalizimeve u dërgua drejt Berlinit. Është një teknikë e mirëfilltë laboratorike, ndërkohë që brenda grupeve të COVID-19, duam të dedektojmë COVID-19. Duke qenë edhe predispozitë nuk na rezulton që është COVID-19. E bën monstra të dyshimta. Dhe duhen deleguar në laboratorët ndërkombëtarë. Kemi riinfektime të personave që e kanë kaluar më parë, dhe shfaqen të ngjashëm me të njëjtën klinikë. Monstra të dyshuara janë pjesë e kampionit që delegohen drejt Berlinit. Prekje e grupmoshave të reja, që po zë pjesë sunduese. Monstrat e dyshuara përkundrejt sinjaleve, presim diagnozën.”- tha Tomini.
——————————————————————————
Shqipëria
953 raste në 24 orët e fundit, 12 fatalitete
Rënie e lehtë e infektimeve të reja me COVID-19 ashtu si edhe rënie e testimeve. Ministria e Shëndetësisë informoi se nga 3458 testime kanë rezultuar pozitivë 953 persona. Fatkeqësisht kanë humbur betejën me COVID-19, 12 persona në 24 orët e fundit. Në 24 orët e fundit janë shëruar 684 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 52,128 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 449 pacientë, 36 në terapi intensive nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë
Kosova
Tre të vdekur, 290 raste të reja
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 3 viktima nga COVID-19. Gjatë kësaj kohe janë raportuar edhe 290 raste të reja të infektuara. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i cili sqaron se gjatë 24 orëve të fundit, “në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.388 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Numri total i rasteve pozitive është 62.548 raste nga 252.163 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.526 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 189 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 54.231 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.791”.
Greqi
Konfirmohen 638 raste të reja, 25 humbje jete në 24 orët
Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik, EODY në Greqi, konfirmoi 638 raste të reja të infeksionit të ri me COVID-19, nga të cilat 4 u identifikuan pas kontrolleve në hyrjet e vendit. Numri i përgjithshëm i rasteve është 164575. Ndërsa 276 pacientë trajtohen të intubuar, 1169 pacientë të tjerë janë larguar nga ICU që nga fillimi i pandemisë. Njëherësh u konfirmuan edhe 25 vdekje të reja nga COVID-19, duke arritur kështu në 5997 vdekje në total në vend.
Maqedonia e Veriut
Ulen rastet e reja, shifrat e viktimave të larta
Shifra të ulëta të rasteve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 75 raste të reja, ndërsa numri i viktimave ka qenë i lartë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mësohet se 22 persona kanë ndërruar jetë. Ndërkohë që nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë se janë shëruar 1.440 pacientë.