Veprimtaria e dytë e futbollit italian, Kupa e Italisë, ka mbërritur në stacionin e parafundit të saj, teksa po luhen ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve. Kështu, Juventusi është skuadra e parë finaliste, ndërsa të mërkurën do të njihet edhe finalistja tjetër.
Bardhezinjtë e torinezë, të drejtuar nga ish-lojtari i tyre, por edhe i Milanit dhe Interit, Andrea Pirlo, e mbyllën në barazim 0-0 takimin e kthimit përballë Interit, të zhvilluar të martën në mbrëmje në fushën e tyre dhe u kualifikuan në finalen e madhe pas suksesit 2-1 që patën arritur në ndeshjen e parë në Stadiumin “San Siro”.
Ekipi i trajnerit Antonio Konte luajti gjatë gjithë kohës në sulm, provoi deri në fund të shënonte, por nuk ia doli të thyente mbrojtjen e Juventusit dhe portierin veteran, Xhixhi Bufon. Vendasit menaxhuan mirë fitoren në ndeshjen e parë dhe do të diskutojnë trofeun përballë fituesit të çiftit Napoli-Atalanta.
Në këtë duel gjithçka është e hapur, pasi ndeshja e parë, e zhvilluar në fushën e Napolit, në Stadiumin “Diego Armando Maradona” është mbyllur me rrjeta të paprekura. Me Milanin dhe Interin të përqendruara tanimë tek beteja për titull, Kupa përfaqëson një mundësi të mirë për të 3 skuadrat e mbetura për trofe këtë sezon.