Senati amerikan votoi të martën në mbrëmje për t’i hapur rrugën gjyqit të plotë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi lidhur me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar, duke hedhur poshtë një pretendim se procedimi ishte antikushtetues pasi panë videon grafike të sulmit të janarit.
Në seancën e parë për këtë qëllim që do të përcaktonte nëse gjykimi i ish-presidentit ishte kushtetues, 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër argumentit të demokratëve se procedimi është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.
Gjashtë senatorë republikanë votuan pro, një më shumë sesa pesë që kishin votuar muajin e kaluar kundër një përpjekjeje republikane për ta bllokuar gjyqin.
Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat.
Avokatët e zotit Trump argumentuan se meqenëse zoti Trump nuk është më në detyrë, Senati nuk ka autoritetin të mbajë një gjyq mbi akuzën e Dhomës së Përfaqësuesve se ai nxiti një rebelim ndërsa ishte në detyrë.
Demokratët shpresojnë ta skualifikojnë ish-presidentin Trump nga mbajtja e një posti publik në të ardhmen.
Videoja e paraqitur nga ekipi i nëntë demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e Prokurorit të çështjes kombinonte pamjet e dhunës ndaj Kapitolit më 6 Janar me segmente të fjalimit ndezës të ish-presidentit Trump para mbështetësve të tij disa momente më herët, duke i nxitur ata të “luftonin fort” për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e nëntorit.
Senatorët, që shërbejnë në rolin e jurisë, panë në ekrane pamjet që tregonin përkrahësit e zotit Trump duke rrëzuar barrierat dhe duke goditur oficerët e policisë në Kapitol. Në video përfshihej gjithashtu momenti kur policia që ruante sallën e seancave të Dhomës së Përfaqësuesve, qëlloi për vdekje protestuesen Ashli Babbitt, një nga pesë personat, përfshirë një oficer policie që vdiqën atë ditë.
Turma sulmoi policinë, i detyroi ligjvënësit të fshiheshin për të ruajtur veten, dhe ndërpreu çertifikimin zyrtar nga ana e Kongresit të fitores së Presidentit Joe Biden, pasi zoti Trump kishte sfiduar për dy muaj rezultatet e zgjedhjeve, duke pretenduar në mënyrë të rreme për mashtrime të gjera në votime.
“Nëse kjo nuk është një vepër e dënueshme, atëherë asgjë tjetër nuk është”, tha anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve Jamie Raskin, i cili shërben në rolin e kryeprokurorit të çështjes, para shfaqjes së videos.
Ai qau ndërsa tregonte se si vajzës dhe dhëndrit të tij, që ai i kishte sjellë në Kapitol atë ditë për të qenë të pranishëm në çertifikimin e zgjedhjeve, u ishte dashur të fshiheshin në një zyrë pranë sallës së Dhomës së Përfaqësuesve, duke thënë: “Ata besonin se do të vdisnin.”
Në kontrast të prezantimit emocional të demokratëve, avokatët e ish-presidentit Trump e sulmuan procesin, duke argumentuar se gjyqi ishte një përpjekje antikushtetuese, partiake për t’i mbyllur rrugën të ardhmes politike të zotit Trump, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
“Ajo që ata duan të realizojnë në të vërtetë këtu në emër të Kushtetutës është që të mos lejojnë Donald Trumpin që të kandidojë më për poste politike, por kjo është një fyerje e Kushtetutës pavarësisht se kundër kujt drejtohet sot”, u tha senatorëve David Schoen, një prej avokatëve të ish-presidentit.
Ai denoncoi “dëshirën e pangopur për fajësim” midis demokratëve përpara se të transmetonte videon e tij, e cila kombinonte klipe të ligjvënësve të ndryshëm demokratë që kërkonin që shkarkimin e ish-presidentit Trump të kthehej që nga viti 2017.
