Ditën e djeshme u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme, Ilir Adilli themelues, aksioner dhe Drejtor i Përgjithshëm i AK INVEST.
Adilli pati një karrierë të suksesshme në disa institucione shtetërore dhe financiare, por që u ndërpre për shkak të Covid-19.
Për më tepër, mesazhi nga “AK INVEST” ju njeh më mirë me të ndjerin
“AK Invest njofton, me hidhërim të thellë, ndarjen nga jeta të z.Ilir Adili, themelues, aksionar dhe Drejtor i Përgjithshëm i AK INVEST, si pasojë e komplikacioneve nga Covid-19.
Ilir Adili lindi më 07.09.1961 në Tiranë dhe u diplomua si ekonomist. Pas diplomimit, ai zhvilloi një karrierë të suksesshme në disa institucione shtetërore dhe financiare, për të vijuar, pas vitit 1996, me angazhimin në biznesin privat në fushën e shërbimeve financiare.
Ai ishte një sipërmarrës i guximshëm, inovator dhe vizionar, aftësi këto që u mishëruan më së miri në themelimin e AK INVEST, si një institucion financiar modern dhe i suksesshëm në Shqipëri.
Ilir Adili ishte një ndër sipërmarrësit dhe drejtuesit e shquar të sistemit financiar shqiptar, me një eksperiencë të lavdërueshme, prej më shumë se tre dekadash.
Me ikjen e parakohshme nga jeta të Ilir Adili, familja humbi bashkëshortin dhe babain e përkushtuar, të afërmit njeriun e tyre të dashur e të dhembshur, miqtë shokun e tyre të rrallë, partnerët dhe kolegët sipërmarrësin, profesionistin dhe drejtuesin e talentuar e inkurajues, ndërsa shoqëria intelektualin, qytetarin dhe bamirësin model.
Largimi i parakohshëm nga jeta i Ilir Adili është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për të gjithë, por AK – INVEST shpreh bindjen e plotë se do të vijojë të ecë në rrugën e suksesit, që ai hapi dhe krijoi me shumë mund, talent e përkushtim.
AK – INVEST i shpreh familjes, të afërmve dhe miqve të Adili ngushëllimet më të thella e të sinqerta. Gjejmë rastin të shprehim respekt dhe mirënjohje të vecantë për të gjithë angazhimin, punën e palodhur, si dhe kontributin e tij të vecantë në sistemin financiar dhe shoqërinë shqiptare.
“Ilir, do të na mungosh gjithmonë! Qoftë i përjetshëm kujtimi yt! AK – INVEST” – thuhet në mesazhin e shërbimeve financiare.