Në Austri, trajtimi i pacientëve Covid-19 me vaj kanabisi po jep rezultate premtuese. Studiuesit në Klinikën Klagenfurt të Austrisë konstatuan reduktim të inflamacionit dhe shërim në një kohë më të shkurtër tek pacientët që u trajtuan me të. Kanabidioli ose vaji CBD u përdor si pjesë e trajtimit për pacientët Covid-19 në repartin e kujdesit intensiv të spitalit gjatë tre javëve.
Fillimisht, pacientëve iu dhanë doza 200 miligramë, ndërsa më pas dozës iu shtuan edhe 100 të tjera. Rudolf Likar, shefi i kujdesit intensiv në klinikë, thotë se te pacientët u vu re rënie e parametrave të inflamacionit në gjak dhe përshpejtim i procesit të shërimit.
“CBD ndihmon sistemin imunitar”, tha ai.
Sipas tij, ka gjasa që kanabidioli në vajin CBD të bllokojë receptorin ACE2 përmes të cilit virusi SARS-CoV-2 fiton akses në qelizat njerëzore dhe fillon të vetë-replikohet, duke sjellë pasoja të rënda për shëndetin e njeriut. Efektet anti-inflamatore të vajit CBD thuhet se tejkalojnë ato të ilaçeve të tjera të përdorura gjerësisht, sepse kanabidioli neutralizon dëmtimet neurologjike të shoqëruara me të ashtuquajturin “Covid i gjatë”.
“Të dhënat duken relativisht mirë. Ne ndoshta do ta përdorim në mënyrë rutinore tani sepse nuk ka ndonjë efekt anësor”,- tha Likar, duke shtuar se kërkime të ngjashme mbi efikasitetin e vajit CBD në trajtimin e COVID-19 po zhvillohen edhe në Izrael.