Kushtet atmosferike kanë sjellë problematika në të gjithë vendin tonë. Ministrja e Shëndetësisë duke folur nga Spitali i Traumës, shprehet se strukturat spitalore janë në gatishmëri për çdo urgjencë.
Gjithashtu ajo preku dhe situatën e koronavirusit në vend për të cilën tha se aktualisht në 4 spitalet COVID situata është nën kontroll. Ajo deklaroi se pas tyre, edhe spitalet rajonale janë në gatishmëri ndërsa reshjet e dëborës mund të shkaktojnë probleme në transportimin e qytetarëve që do kenë nevojë për shërbim shëndetësor.
“Ekipet tona janë në gatishmëri të presin çdo urgjencë. Kemi kryer shumë operacione përgjatë ditës. Rreth 150 misione janë funksion vetëm për pacientët me COVID. Jemi përgatitur për këtë situatë të tillë. Spitalet janë të pajisura me të gjitha pajisjet. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bëjnë kujdes. Situata në spitalet COVID siç dihet është e kontrolluar por numrat e pacientëve po rritet nga dita në ditë. Në momentin që do kemi mbingarkesë do shkojmë në spitalet rajonale. Kushtet e motit do e bëjnë më të vështirë transportin e pacientëve për shkak të qarkullimit rrugor. Ekipet e urgjencave kombëtare do jenë në gatishmëri. Do vijojmë të monitorojmë situatën dhe jemi në gatishmëri të plotë” – tha Manastirliu.