Albin Kurti pritet të jetë kryeministri i ri i Kosovës pas fitores në zgjedhje nën siglën e partisë që drejton Lëvizja Vetëvendosje. Por çfarë kryeministri pritet të jetë ai kur në karrierën e vet ka patur një sjellje shumë të ndryshme nga politikanët e tjerë. Në emisionin HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU, analisti i çështjeve ndërkombëtare, Armand Plaka bën një profil dhe një përshkrim të tij.
Tashmë që Albin Kurti u shpall fitues i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, pyetja e madhe është se si do të jetë ai si kryeministër? Si do qeverisë në Kosovë? A do jetë një kryeministër ndryshe nga paraardhësit e tij? Si do vijojnë bisedimet me Serbinë? Si do jetë qasja e tij me politikanët e Shqipërisë? A do ketë ai në program bashkimin e Kosovës me Shqipërinë? Të gjithë përgjigjet e këtyre pyetjeve iu është përgjigjur në formën e ndërtimit të një profili analisti i çështjeve ndërkombëtare Armand Plaka në një intervistë në emisionin “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU” në Fjala TV. Plaka ka bërë një analizë të detajuar të zgjedhjeve të shtata parlamentare në Kosovë për të cilat e quan një triumf personal të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit si politikanë që kanë ndryshuar establishmentin në Kosovë. Plaka analzioi edhe deklaratën e Kurtit se bisedimet me Serbinë pritet të jenë në pika e pestë apo e gjashtë në renditje të çështjeve që ai do merret si kryeministër. Plaka analzion dhe bën një parashikim për raportet e Albin Kurtit me politikanët e Shqipërisë veçanërisht me kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha.
-Çfarë lloj kryeministri pritet të jetë Albin Kurti?
-E gjithë statura politike e Albin Kurtit ka qenë një staturë e tillë e cila të impresiononte që në momentet e para. Është një politikan i një formati komplet ndryshe nga të tjerët. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, pjesa më e madhe e suksesit të tij është të qenurit i veçantë. Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh se nga ai Albini i ardhur nga një sfond i lëvizjeve radikale, edhe vetë formacioni politik që ndërtoi tentoi të mos e quante parti politike, por lëvizje politike, pra në nëj sfond nga shoqëria civile dhe grupime të rinjsh të cilat ai arriti me sukses t’i menaxhonte, duhet thënë falë pikëpamjeve në atë kohë shumë populiste, dhe në shumë aspekte edhe ekstremiste. Përtej gjithçkaje fitoi pragmatizmi. Do shohim një Albin Kurti tjetër, i cili i dha shenjat edhe para dy viteve kur erdhi në pushtet në koalicion me LDK-në. Kam përshtypjen se është lider i rekordeve. Në çdo aspekt ka vendosur rekorde. Madje mendoj se do jetë i pari që do shtyjë një mandat të plotë.
“Si pritet të të shkojnë bisedimet me Serbinë nën qeverinë Kurti”
Albin Kurti deklaroi se bisedimet me Serbinë pritet të jenë çështja e pestë apo e gjashtë ndër çështjet që do angazhohet si kryeministër. Analisti Armand Plaka analizoi këtë deklaratë, por edhe atë që lidhet me pritshmëritë e kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti në ecurinë e bisedimeve me Serbinë.
-Bisedimet me Serbinë, sipas Kurtit do të jenë çështja e pestë ose e gjashtë. Si e analizoni këtë?
-Në dukje, nuk përbën më prioritet po ti referohemi Kurtit, por e dimë të gjithë që realisht nuk mund të jetë e pesta dhe e gjashta, sepse pasojat që vijnë nga raportet me Serbinë, janë të ndërlidhura, nuk mund të shkëputen dhe nuk mund ta vendosim në vendin e pestë apo të gjashtë megjithëse unë tentoj ta mirëkuptoj Albin Kurtin i cili me këtë ka dhënë një shembull tjetër dhe një dëshmi tjetër të asaj që qeveria dhe kabineti i tij do përqëndrohet fort në atë që quhet kriza endemike e Kosovës. Kurti ka thënë se nuk do jetë si paraardhësit e tij në marrëdhëniet me Serbinë. Nuk do mjaftohemi me shkuarje dhe ardhje, me përkëdhelje nga Brukseli dhe Uashingtoni, por do tentojmë rezultate konkrete dhe pikë së pari do ta shohim rivalin në sy, në të njëjtën lartësi, dhe do t’iu tregojmë hartën tonë të zgjidhjes së problemeve.
“Raportet e Ramës, Bashës, Metës me Albin Kurtin”
Janë shumë interesante marrëdhëniet e kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti me politikanët shqiptarë. Ato kanë shënuar ulje e ngritje dhe tashmë mund të themi se ka një ndarje të atyre që mbështesin në Tiranë dhe atyre që nuk e mbështesin. Për analistin Plaka kjo do të sjellë një frymë të re të këtyre marrëdhënieve.
–Liderët tanë politikë kanë krijuar marrëdhëniet e tyre me liderët e Kosovës. Si i analizoni këto marrëdhënie?
-Kanë qenë gjithmonë tendencat e Tiranës për paternalizëm ndaj Kosovës. Basha duket se ka një lloj këndvështrimi tjetër, është një lloj prerjeje tjetër, ku sheh përtej aspektit ideologjik. Më duket luks i tepruar për zgjedhësit shqiptarë dhe po shohim se gjithkush e pranon se po shkon drejt pragmatizmit, po e shohim si majtas si djathtas, tonet janë shumë të ngritura, pamë për çështjen e këmbimit të territorit, është ajo që i ndau vërtet Kurtin dhe Ramën. Kjo ka sjellë ndoshta dhe afrimin më të madh mes Bashës dhe Kurtit, po sikurse dhe kalkulimet politike për atë që mendohet të vijë nesër në pushtet, i cili do të ketë një marrëdhënie të mirë me ekzekutivin kosovar.
“Kur pritet të ndodhë bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës”
Ëndrra e shqiptarëve është dhe mbetet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Por a mund të ndodhë ky bashkim? Analisti Armand Plaka deklaron se ndonëse është një ëndërr në sirtar, një gjë e tillë mund të ndodhë, por forma mund të jetë në një konfederatë.
-A ka nisur procesi i bashkimit Shqipëri-Kosovë? Dhe si e parashikoni këtë proces?
-Në fakt ajo është ëndrra e të gjithë shqiptarëve. Përtej kësaj, si Shqipëria, si Kosova i nënshtrohet detyrimeve të veta të asaj që quhet real politika, të politikës aktuale.
-Kur e parashikon ti bashkimin e Shqipërisë me Kosovën?
-Unë përkrah idenë e një Konfederate të përbashkët. Unë mendoj se shqiptarët e Kosovës nga spekti administrative duan të drejtohen më mirë nga Prishtina sesa nga Tirana. Edhe vetë Kurti i cili një pjesë të madhe të mbështetjes politike ja falenderon faktit se e ka mbështetur Tirana. Unë nuk dua të bëj një parashikim se kur mund të ndodhë.