Një 37-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës pasi lëvizte me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me vete.
Sipas Bluve të Tiranës, i riu me inicialet A.SH, i dënuar dhe më parë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, ka qenë duke lëvizur me makinën e tij tip “Opel” te “Rruga e Elbasanit.
Nga efektivët, i është bërë shenjë për të ndaluar mjetin. Por i gjendur në kushtet kur kishte me vete drogë, 37-vjeçari ka ulur xhamin dhe e ka “fluturuar” qesen me kokainë para se të ndalonte.
“Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Sh., 37 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, sepse në Rrugën e Elbasanit, duke drejtuar mjetin tip “Opel”, menjëherë sapo i është dhënë shenjë ndalimi nga Policia, ka hedhur nga xhami i pasagjerit një qese me një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë”, thuhet në njoftim.