Një person u ekzekutua me 2 plumba mëngjesin e sotëm pranë Piramidës në kryeqytet. Mësohet se viktima është identifikuar si Behar Sofia, 66 vjeç nga Berati.
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen që tronditi kryeqytetin mëngjesin e sotëm teksa në vend ka shkuar dhe kreu i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi.
Policia njofton se me datë 25.02.2021, rreth orës 09:00, në trotuar në afërsi të Piramidës është konstatuar nga shërbimet e Policisë shtetasi B. S., 66 vjeç, i shtrirë në tokë, dyshohet i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, i cili është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore ku dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën, me qëllim kapjen e autorit.
Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore dhe vijon puna nga grupi hetimor, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.