Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka miratuar sot fletën e votimit të propozuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Vendimet janë marrë me shumicë votash të pesë anëtarëve të Komisioni Rregullator.
Në pikën dy të vendimit thuhet se fleta mund të ndryshojë përmasat në varësi të listave shumëemërore në çdo zonë zgjedhore.
Zgjedhësi do të votojë me një fletë votimi me ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore dhe sasia e fletëve të votimit është e barabartë me numrin e zgjedhësve, duke i shtuar 2 për qind.
Letra që do të përdoret për prodhimin e fletës së votimit, përmban disa elemente sigurie. Përveç elementeve të sigurisë së letrës, fleta e votimit do të përmbajë dhe disa elemente teknik në formën e kodeve që identifikojnë numrin serial, zonën zgjedhore dhe qendrën e votimit që nuk lexohen me sy të lirë (barkod). Fletët e votimit prodhohen në blloqe pa kundërfletë.