Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, vlerësoi Kuvendin e Shqipërisë si një ndër parlamentet e para në Europë dhe rajon që reagoi shpejt ndaj nevojave të COVID. Del Monaco tha se OSBE ka bashkëpunuar me Kuvendin duke i dhënë mbështetje teknike, që mundësoi organizimin e takimeve të komisioneve parlamentare përmes mjeteve të komunikimit elektronik.
“Më 2020, pandemia Covid-19 vështirësoi shumë sfera të jetës e të punës në mbarë globin. Por Kuvendi i Shqipërisë ishte një ndër parlamentet e para në Evropë dhe në rajon që reagoi shpejt dhe iu përshtat nevojave dhe sfidave të reja. Me krenari, ne punuam së bashku me Kuvendin duke i dhënë mbështetje teknike, gjë që mundësoi organizimin e takimeve të komisioneve parlamentare dhe strukturave të tjera përmes mjeteve të komunikimit elektronik. Kjo përshtatje e shpejtë me teknologjinë digjitale u vlerësua si praktikë e mirë edhe nga Komisioni Evropian në Raportin Vjetor 2020, si dhe në Raportin e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Sfidat e 2020-s u shndërruan në mundësi, duke shtuar transparencën dhe pjesëmarrjen e qytetarëve”, tha Del Monaco.