Tre persona kanë rënë në prangat e policisë dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi po transportonin 27 emigrantë të paligjshëm.
Sipas informacioneve të para, janë arrestuar Mehdi Gjini, 28 vjeç, banues në Tiranë, Kliton Preka, 23 vjeç, banues në Kamëz, Besim Laçi, banues në Tiranë, si dhe është shpallur në kërkim A.M., 22 vjeç, banues në Kamëz.
Mësohet se të rinjtë po transportonin emigrantët me qëllim kalimin drejt vendeve të BE, kundrejt një pagese, ndërkohë që në momentin që janë sinjalizuar nga policia për të ndaluar, nuk i janë bindur urdhrit të tyre. Lokalizimi i mjetit tip furgon “Volkswagen Crafter”, është bërë i mundur pranë fshatit Poloskë të Devollit.
“Gjatë ndjekjes, drejtuesit të këtij mjeti i është bërë me shenjë të ndalonte, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe ka braktisur mjetin, brenda të cilit u gjetën 27 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro secilit, iu ishte premtuar kalimi për në vendet e BE-së”, njofton policia
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se dy shtetasit Gjini dhe Preka ishin në rolin e organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa shtetasit Laçi dhe A. M. (i shpallur në kërkim) ishin në rolin e transportuesve të shtetasve të huaj.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.