Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli e konsideron vlerë të shtuar kandidimin për deputete në listat e Partisë Socialiste të drejtueses së spitalit infektiv, Najada Çomo.
Në një intervistë për Euronews Albania Rakacolli theksoi se “Çomo është me integritet” dhe “padyshim vlerë e shtuar”.
“[Najada Çomo në listat e PS-së] është patjetër një vlerë e shtuar […] gjë që e ka treguar me vëmendjen dhe përkushtimin e saj gjatë pandemisë […] është një grua me integritet një grua që ka vite që punon në mjekësi dhe ka integritet të formuar prej vitesh,” – u shpreh Rakacolli.
Në intervistë Rakacolli foli edhe për pandeminë ku gjatë një viti ajo tha se “ka pasur gjëra pozitive në menaxhim” gjë që “ka bërë të ketë më shumë besim se do t’ia dalim”. Aktualisht dy muajt e fundit Shqipëria po vuan një rritje shqetësuese të rasteve të reja, por dhe të numrit të viktimave.
“Rritja e rasteve lidhet me disa faktorë, si mos-respektimi i masave kufizuese gjatë festave, por edhe me dyshimin e fortë të shfaqjes së formave të reja të virusit në vendin tonë […] që kanë nivel më të lartë infektimi se varianti i parë,” – u shpreh Rakacolli.
E pyetur me shqetësim se përse nuk ka ende një përgjigje zyrtare për këtë çështje, Rakacolli tha se “kaq i kemi mundësitë” se autoritetet kanë bërë analizat e rasteve dhe i kanë çuar mostrat për analizim në vendet e huaja. Zëvendësministrja nuk dha shpjegim konkret se përse ende nuk ka përgjigje për këto analiza, por ajo theksoi se edhe variantet e reja mund të luftohet njëjtë si me variantin e parë, me masa kufizuese apo dhe vaksinim.
Rakacolli theksoi se nuk ka asgjë të konfirmuar për sa i përket pretendimeve se COVID-19 është përhapur në Shqipëri që përpara marsit 2020.
Gazetarja Loneta Progni e pyeti zëvendësministren rreth faktit se Shqipëria ka përpara një proces zgjedhor dhe nëse kanë drojë autoritetet për rritje rasteve si rrjedhojë e këtij procesi, ngjashëm sikurse ndodhi në Kosovë. Rakacolli u përgjigj se nëse qytetarët respektojnë me përpikëri masat atëherë kjo mund të mënjanohet.
Lexoni gjithashtu: