Këngëtari i famshëm shqiptar, Ermal Meta, ishte konkurrent në edicionin e radhës të festivalit të “Sanremo”-s, ku për 3 net radhazi mbajti vendin e parë në klasifikim.
Por edhe pse u shpall i treti në klasifikim, Ermali u duk mjaft i lumtur me vlerësimin përfundimtar të spektaklit. Mbrëmjen e djeshme, ai ka bërë një live në “Instagram”, ku komentoi të gjitha kritikat pozitive dhe ato negative që ka marrë këto ditët e fundit. Ai u ndal edhe te komentet të tipit “të kthehej në vendin e tij”.
Këngëtari i njohur i bëri krenarë të gjithë shqiptarët me fjalët e tij. Ai u shpreh se “nëse do të dinit vetëm pak fare nga historia e vendit nga vij unë, do ndiheshit krenar, njësoj si unë”.
“Në fund dua të falenderoj të gjithë ata që më mbështesin dhe më ndjekin sepse më duan. Ndërsa për ju të tjerët kam vetëm diçka për t’iu thënë: Nëse do dinit vetëm pak fare nga historia e vendit nga unë vij, do ndiheshit krenar, njësoj si unë. Jam krenar për rrënjët dhe gjakun tim, e nëse ju do i njihnit ata do ndiheshit krenarë që i keni fqinj. Ju ftoj të lexoni historinë e tyre dhe do mbeteni të mahnitur”, përfundoi Meta.