Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit Taulant Balla prezantoi sot në Gramsh dy kandidatët e skuadrës së PS për zgjedhjet e 25 Prillit, Besian Ajazi dhe Enver Roshin.
Balla gjatë fjalës së tij u shpreh se Partia Socialiste ka bërë zgjedhjet e duhura dhe se vetëm me Edi Ramën, Gramshi mund të vazhdojë këtë rrugë drejt transformimit.
“Dua t’i uroj mirëseardhjen doktor Enverit në këtë ekip bashkë me Besin, i cili t’ju them të drejtën më kujton veten time vite më parë ku teksa isha pjesë e kabinetit të Fatos Nanos, u propozova nga Partia Socialiste të isha deputet në qytetin dhe Bashkinë ku kam lindur, në Librazhd. Jam shumë i sigurt që Besi do të arrijë të bëjë për Gramshin, atë që unë mendoj që kam arritur të bëj për Librazhdin. Dua të falënderoj Profesor Anastas Angjelin, me të cilin kam bashkëpunuar ngushtësisht, për të gjitha problematikat dhe çështjet e investimeve në Gramsh, së bashku kemi arritur të sigurojmë një vëmendje të shtuar të qeverisë dhe jam shumë i sigurt që këtë vëmendje do të vazhdojmë ta shtojmë edhe më shumë.
Ato që kanë ndodhur gjatë këtyre 7 viteve në Gramsh, askush prej nesh nuk do ta kishte imagjinuar në vitin 2013. Gramshi sot është një nyjë lidhëse, nuk është më një cep i harruar. Shumë shpejt do të kemi mundësinë që nga Elbasani për të shkuar drejt Korçës, të kalosh nga Gramshi. Gramshi ka ende shumë resurse, të cilat ne ende nuk kemi arritur t’i shfrytëzojmë siç duhet, sepse pasuritë e kësaj zone duhet të jenë atraksion i domosdoshëm turistik për të rritur aksesin e njerëzve, turistëve dhe sigurisht për të shijuar ato prodhime të pakrahasueshme blegtorale që ka kjo zonë.
Për këto arsye unë mendoj se Partia Socialiste ka bërë zgjedhjen e duhur të dy përfaqësuesve, njëri me energji të reja dhe eksperiencën e duhur tashmë pranë grupit Parlamentar të PS prej 8 vitesh sikurse dhe Besiani, me të cilin qoftë Gramozi për 4 vite, qoftë edhe eksperienca me mua e bën Besin tepër të përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësinë e madhe të përfaqësosh këtë krahinë kaq të madhe.
Pastaj edhe Doktor Enveri i cili, ka eksperiencën, ka komunikimin me njerëzit. Është e kotë të harxhosh votën në këto zgjedhje t’i japësh votën Partisë Demokratike në Gramsh. Për çfarë t’ja japësh votën? Ku e ka PD Gramshin? Të 11-tin? A pse i 11-ti qenka në listën e PD të Gramshit? Po mirë… Domethënë nuk qënke fare në teserat e PD-së.
Vetëm me PS dhe vetëm me Edi Ramën, Gramshi mund të vazhdojë këtë rrugë drejt transformimit, janë shumë të mëdha projektet, por ende nuk kemi bërë atë që duhet sepse prej pandemisë dhe tërmetit ne na u desh të shkurtonim një pjesë të disa investimeve që kishim në Gramsh”, deklaroi Balla.