Policia ka nisur hetimet për Agim Hoxhajn dhe Afrim Sufajn të cilët kanë kundërshtuar policinë gjatë përplasjes së djeshme mes presidentit Ilir Meta me Policinë Bashkiake, në zyrat e FRD-së.
Afrim Sufa është pjesë e FRD prej disa vitesh, kurse Agim Hoxha është aktualisht shef i komisariatit numër 4. Të dy kanë hyrë në zyrat e FRD pas Metës dhe pas përplasjes janë kallëzuar nga policia bashkiake.
Meta është përballur fizikisht me policët dhe zyrtarin e Bashkisë, madje edhe i ka kërcënuar ato duke i thënë që “të largohen ose do i çojë në burg me duart e tij”.
Kreu i shtetit ka degjeneruar në një sjellje aspak të hijshme për një president për të mbrojtur zyrat e FRD-së, në një kohë kur vetë Sali Shehu përpiqet në një moment që ta qetësojë.
Pas përplasjes ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila kryeson koalicionin opozitar ku bën pjesë edhe partia e Sali Shehut tashmë. PD thotë se përdorimi i forcës policore kundër një partie është tregues se Rama është kundërshtar i lirisë. Pak para momenteve të dhunshme, drejtuesi i FRD Shehu po fliste për atë që ndodhi kur policia Bashkiake u ka ndaluar hyrjen në këtë godinë
Vetë Bashkia e Tiranës ka kërkuar që Fryma e Re Demokratike, të zbatojë ligjin për ‘partitë politike’. Sipas këtij ligji Bashkia e Tiranës ka detyrimin që t’i japë ambiente për zyra partive politike që kanë përfaqësim në Kuvend apo kanë në përbërje një ish-President.
Sipas nenit 22, pika b, të këtij ligji “partitë parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore. Këtë të drejtë e ka edhe partia politike, mesatarja e votave të së cilës në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë mbi 1 për qind në shkallë vendi”.Me ikjen e Bamir Topit FRD nuk plotëson asnjë nga kushtet e mësipërme, pasi tashmë nuk ka as deputet dhe as Presidentin. Bashkia nuk ka më asnjë detyrim t’ ofrojë zyra.