Një grup të rinjsh në qytetin francez të Nantes kanë shpëtuar një familje nga zjarri që kishte shpërthyer në apartamentin e tyre.
Pamjet dramatike tregojnë të rinjtë të cilët në anë të ndërtesës kanë formuar shkallë duke hipur mbi njëri-tjetrin për të ndihmuar një familje. Pranë ndërtesës ishin vendosur dyshekë, ku u hodh një foshnjë 6 muajshe.
Një nga të rinjtë e përfshirë në aksionin për shpëtimin e familjes ka thënë për “Ouest-France” se vendimi për të hedhur foshnjën nga ballkoni ishte “zgjidhja e fundit e mundshme” për t’i shpëtuar jetën, ndërsa tymi dilte nga ndërtesa.
Nëna e foshnjës thuhet se është dërguar në spital në gjendje kritike, por rikuperimi i saj vijon.
Siç shkruan BBC zjarri gjithashtu u përhap në banesa të tjera në ndërtesë dhe zjarrfikësit shpëtuan disa persona të tjerë.
Historia i bën jehonë rastit të një emigranti, i cili u vlerësua gjerësisht për ngjitjen në pjesën e jashtme të një ndërtese për të shpëtuar një djalë të vogël të varur nga një ballkon në katin e katërt në Paris në 2018-ën.
Mamoudou Gassama u bë më vonë shtetas francez dhe iu dha një medalje për guxim nga presidenti.